E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreshjet e shiut shkaktojnë dëmtime të rënda në rrugën e Arbrit

BULQIZE- Rreshjet e dendura të shiut kanë dëmtuar seriozisht aksin nacional të ashtuquajtur rruga e Arbrit në segmentin Bulqizë-Ura e Cerenecit e ndërtuar gjatë vitit të kaluar. Dëmtimi ka ndodhur në vendin e quajtur Allet rreth 10 km larg qytetit të Bulqizës.
Në një distancë prej rreth 30 metrash larg njëra tjetrës në këtë segment rrugor vihen re dy plasaritje të rrugës si pasojë e rreshjeve të pandërprera të shiut. Plasaritjet të cilat erdhën duke u thelluar dita ditës kanë shkaktuar dhe ulje të aksit të rrugës duke e bërë të ëvshtirë kalimin e automjeteve në të. Hapësira e plasaritur në trasenë e rrugës shkon nga 15 në 25 cm ndërsa ulja e rrugës ka shkuar deri në 20 cm.
Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve të Dibrës bëjnë me dije se gjatë asfaltimit të kësaj rruge, firma duke qenë e njohur me strukturën gjeologjike të saj ka zbatuar projektin teknik, por duket se fenomeni i rëshqitjeve në këtë segment ka qenë i paevitueshëm.
Ndërkohë mbetet e paqartë se si do të veprohet për rikonstruksionin e rrugës së Arbrit. Në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Dibër ngre supet për zgjidhjen e këtij problemi ndërsa rruga e re nga dita në ditë po cahet edhe më shumë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›