E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrëshqet dheu, del Osumi, izolohen 6 fshatra

06/03/2005  SKRAPAR- Rrëshqitja masive e dherave dhe daljet e Osumit kanë shkatërruar 500 metra rrugë, dy depo të uji të pijshëm si dhe 300 metra linear tubacion, duke sjellë dhe izolimin e 6 fshatrave. Reshjet e dendura të shiut të rëna tre ditët e fundit dhe rrëshqitja e një pllaje, rreth 30 hektarë tokë, në fshatin Spathar, në rrethin e Skraparit, kanë krijuar një dëm kolosal në bujqësi, pemtari dhe në infrastrukturë, duke izoluar 6 fshatrat e komunës Vëndresh dhe dy fshatra i ka lënë pa ujë të pijshëm prej 5 ditësh, ndërsa dy familje, me 15 anëtarë, që nga dita e mërkurë kanë ngelur në qiell të hapur, për arsye se masivi i tokës u ka përpirë dy shtëpitë. Sipas burimeve zyrtare nga krerët e komunës të Vëndreshës, një pllajë prej më shumë se 30 ha tokë ka rrëshqitur në fshatin Spathar të kësaj komune, duke fundosur dy shtëpi në lagjen Hoxhaj, e cila ndodhet poshtë pllajës, ku ka rrëshqitur toka. Sipas kryetarit të komunës Vëndresh, Sulejman Dervishi, rrëshqitja e masivit të dherave në pllajën e faqes të malit të Spatharës ka ndodhur 4 ditë më parë, në mesnatën e ditës të mërkurë dhe për pasojë ka shkatërruar, duke i fundosur dy depot e ujit të pijshëm dhe mbi 400 metra linear tubacion, të dy fshatrave Vëndreshë dhe Spathar, duke lënë pa ujë 600 banorët e dy fshatrave. Po 24 orë pas rrëshqitjes të masivit, një tjetër shkatërrim i rrugës prej 500 metra linear të kësaj komune ka ardhur si rezultat i daljes të ujërave të lumit Osum nga shtrati dhe për pasojë në segmentin rrugor në fshatin Buzuq–Therepel, lumi ka shkatërruar komplet këtë segment rrugor. 6 fshatrat e komunës për 5 ditë kanë ngelur të izoluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›