E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miss kampionia

15/02/2010  Intervistë me Agnesa Vuthaj
E kontaktuar ndërsa ishte në Manila të Filipineve në cilësinë e anëtares së jurisë spektaklit “Miss Earth 2009”, në fund të nëntorit 2009, bukuroshja kosovare që tashmë i ka thyer të gjitha rekordet e mundshme sa i përket aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare, prezentative e reprezentative për një Miss, e stërngarkuar me aktivitete, pas një periudhe disajavëshe insistimi, flet për aktivitetet e saj, ambiciet profesionale, skenën e gjithmbarshme kulturore, preferencat e saj muzikore, filmike, letrare etj.

Tashmë është slogan gjithandej se “kurora e miss-it” të legjitimon me një bekgraund elitar në shoqëri. Kush ishte Agnesa Vuthaj para ditës së “legjitimimit” si më e “bukura e këtij dheu” dhe çka mendoje për veten një ditë pas mbrëmjes kur fituat kurorën?

Para se të merrja pjesë në konkurse bukurie, isha një nxënëse në shkollë të mesme, shumë e përkushtuar në mësime. Merresha edhe me aktivitete të ndryshme sociale-humanitare. Isha anëtare e Kryqit të Kuq të Kosovës. Angazhohesha në OJQ-në “Vizioni” në Istog dhe u bëra pjesë e spektakleve të bukurisë pas shumë ftesave që mora atë kohë si dhe nga kureshtja për të krijuar një eksperiencë të re.
Ndërkaq, një ditë pas kurorëzimit si më e bukura ndjehesha thjesht fitimtare në një garë dhe isha e gatshme për të vazhduar tutje atë rruge. Dhe ashtu ndodhi! U kurorëzova “Miss Peja”, pastaj “Miss Kosova”, “Miss Press” dhe “Miss publiku” në “Miss Kosova”, pastaj edhe “Miss Albania”.

Keni shëtitur pothuajse tërë globin pas kurorës së Miss-it. Mund ta përshkruani itinerarin e të gjithë aktiviteteve të mëpastajme?

Tashmë janë bërë gjashtë vite që kur u shpalla Miss dhe gjatë kësaj periudhe kohore kam pasur aq shumë udhëtime, saqë, nëse përshkruaj çdo aktivitet, do duhet të botohej një libër, por po i përmend përvojat e mia më të rëndësishme: “Miss World 2004” që është mbajtur në Kinë, “Miss Universe 2005” në Tajlandë, “Top Model of the World 2006” në Kinë. Gjithashtu kam udhëtuar shumë herë në Dubai për revy mode dhe sesione fotografish, në shumë vende të Evropës në organizime ndërkombëtare dhe të diasporës shqiptare, gjithashtu isha edhe në Filipine si organizatore e “Miss Kosova”, si dhe e ftuar si anëtare e jurisë në “Miss Earth 2009”, etj.

Dukeni tejet ambicioze në synimet tuaja. Si vizionare që jeni dëshmuar, ku e sheh Agnesa veten, të themi kushtimisht, pas dhjetë vjetësh?

Nuk më pëlqen shumë të bëj publike planet afatgjata të punës, por besoj që do të jem e martuar dhe me fëmijë.

Keni përfunduar një master nëse s’gabohem, në shkencat politike dhe gjithashtu keni mbaruar me studimet në komunikim masiv. E përkushtuar pas artit e kulturës dhe “profesioniste” në politikë, ç’mendim ke për skenën e gjithmbarshme kulturore tek ne dhe si e shohin sytë e miss-it skenën politike kosovare?

Skena kulturore në Kosovë, sikur edhe ajo politike, janë duke u zhvilluar çdo ditë e më shumë dhe i shoh e i përcjell me shumë dashamirësi, që të dyja.

Fitove apo pësove disfatë nga ajo përvojë e paktë në skenën politike që kishe?
Unë fitova një përvojë shumë të mirë gjatë kohës që punoja me Nexhat Dacin, pastaj edhe me Bajram Rexhepin, dhe s’kishte vend për fitore apo disfatë derisa nuk isha staf politik.

Një agjenci e ngritur nga vetë ju duket se ndonjëherë nuk funksionon si duhet. A ka të bëjë kjo me relacionet e mira ose jo në raport me institucionet? Kemi parasysh se njëri nga evenimentet është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe njëri nga ministrat paraprak...

Asociacioni funksionon përgjithësisht mirë. Rezultatet varen nga angazhimi dhe përkushtimi ynë. Përkrahje të institucioneve kemi pasur, por ndonjëherë ajo nuk është e mjaftueshme për të realizuar një spektakël të mirëfilltë, sepse veç përkrahjes nevojitet edhe një buxhet gjoja i madh ngase projektet e tilla janë të kushtueshme.

Së fundi ishit anëtare jurie e spektaklit “Miss Earth 2009” në Manila të Filipineve ku ishin edhe dy pjesëmarrëset shqiptare...

Ishte spektakli “Miss Earth 2009” ku në mesin e 90 konkurrenteve u prezantuan edhe përfaqësueset e Shqipërisë dhe Kosovës, derisa pjesëmarrja e Elza Markut si përfaqësuese e Kosovës në atë eveniment u mundësua nga “Agnesa Vuthaj Association”. Ndërkaq pjesëmarrjen time si anëtare e jurisë në një spektakël ndërkombëtar me përmasa aq të mëdha siç është “Miss Earth” e konsideroj si një sukses shumë të veçantë në karrierën time.

Cilat janë preferencat tuaja letrare (çka lexon më me ëndje?)

Më pëlqejnë librat rrëfyes, fiktiv, por edhe librat shkencor. Përndryshe, me ëndje lexoj edhe revista dhe shtypin ditor.

Po për sa i përket muzikës?

Më pëlqejnë zhanret rock, RNB, jazz…Dëgjoj muzikë vendore dhe të huaj dhe gjatë udhëtimeve nëpër vende të ndryshme preferoj të marrë nga ato vende muzikë lokale.

Një tjetër “preferencë” juaja është kinemaja. Çfarë duhet të përmbajë një film që të të ngacmojë?

Më shumë më pëlqejnë filmat dramë, komedi, si dhe ata me histori të vërteta.

Sa e ndiqni median dhe programet televizive?

Emisionet informative, argëtuese e garuese janë ato që më tërheqin më shumë.

Shtypin ditor sa arrin ta përcjellësh në këtë invazion teknologjik?

E përcjell shtypin ditor, por më shumë portalet në internet.

Keni qenë pjesë e një filmi që mund të konsiderohet nga ato projekte kinematografike të arrira. ǒkoment keni për përvojën në artin e shtatë dhe a mendon se mund të jesh një aktore e suksesshme pa ato leksionet që mësohen paraprakisht në akademi të arteve?

Në botë janë dëshmuar shumë raste kur edhe pa shkollë aktrimi kanë dalë aktorë shumë të mirë. Megjithatë, unë hezitova shumë që të pranoja ofertën për të interpretuar te filmi “Shkallët”, pikërisht për faktin që nuk kisha mbaruar shkollë për aktrim. Përndryshe, fitova një përvojë të shkëlqyeshme dhe doli një film shumë i suksesshëm që u vlerësua edhe me çmimet që mori në festivale ndërkombëtare në Francë dhe Shqipëri.

A do të provoje sërish në film? Nëse po, do të bëje një vlerësim paraprakisht të skenarit nëse ia vlen apo mjafton të të bëhet oferta dhe mjafton të jetë film?

Skenari është arsyeja kryesore për të pranuar ose jo ofertën për të luajtur në një film, pastaj aktorët, regjisori, producentët, lokacionet e xhirimit etj. Unë kam marrë oferta për shumë filma, por deri tani kam pranuar të luaj te filmi “Shkallët”, ndërkohë që jam në bisedime për një film tjetër gjatë këtij viti.

Kureshtja më nxit të të pyes se si i rezistoni opinioneve të njerëzve që kanë mendime ndryshe nga bindjet tuaja. A e respektoni mendimin e lirë të të gjithë njerëzve, pavarësisht nivelit të tyre emancipues?

Jam shumë e hapur dhe i respektoj mendimet e të tjerëve, pavarësisht nëse janë të ndryshme nga ato të miat. Mendoj që secili duhet të ketë personalitetin e vet dhe mënyrën e vet të të menduarit e jetuarit, po gjithmonë duke iu përshtatur rrethit ku jeton.

A jeni egoiste?
Jo, aspak.

A xhelozoni, ose a ka pasur raste kur keni xhelozuar dikë që ua ka kaluar në ndonjë moment të caktuar p.sh. kur e keni vërejtur se nuk mund të ngriheni në nivelin e tij/saj në artikulimin e dukurive të caktuara, sikurse na ndodh secilit ndonjëherë?

Unë jam shumë e kënaqur me veten dhe jetën time dhe ndodh ndonjëherë kur pëlqej arritjet e dikujt, por nuk xhelozoj. Ndoshta mund të jetë një lloj dëshire momentale për të pasur atë sukses, por prapë se prapë mendoj që secili e ka rrugëtimin e vet unik në jetë.

Meqë jemi në fillim të 2010-ës çfarë keni planifikuar në vitin e kaluar që s’ia keni dalë ta realizoni dhe ç’keni bërë më shumë nga ç’keni planifikuar?

Vitin e kaluar kam realizuar disa projekte më shumë se ç’kam menduar, por ka pasur edhe projekte që mendoja t’i realizoja e që kanë mbetur për 2010-ën.

Si janë korrespodencat tuaja me Miss-et e përzgjedhura para teje dhe a njihesh me të gjitha dhe cilat janë ato, kronologjikisht, sipas viteve të përzgjedhura?

Njihem thuajse me të gjitha Miss-et e Kosovës dhe Shqipërisë, të përzgjedhura para dhe pas meje. Me disa prej tyre kam marrëdhënie shoqërore shumë të mira, derisa me një pjesë tjetër, ndonëse s’kemi ndonjë raport të veçantë, ruajmë respekt për njëra-tjetrën.

Si popull kemi vajzat nga më të bukurat. Na duket ashtu sepse e kemi të mishëruar me mentalitetin dhe botëkuptimin tonë apo qëndron ky fakt, duke iu referuar përvojave tuaja meqenëse ke njohur vajza nga pothuajse të gjithë popujt?

Vajzat shqiptare janë shumë të bukura. Meqë kam pasur rastin të takoj shumë nga vajzat më të bukura të të gjitha vendeve, mund të them që shqiptaret janë ndër vajzat më të bukura në botë. Kjo po dëshmohet kohëve të fundit edhe me sukseset në konkurset ndërkombëtare që po i arrijnë vajzat tona.
Bisedoi: Xhemail Veseli

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›