E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqet makina, vdes 22-vjçari që transportonte krom

Bulqizë Viktima ka rënë nga një lartësi prej 50 metrash. Ndërron jetë rrugës për në spital

Humbet jetën aksidentalisht në punë një 22-vjeçar në minierat e Bulqizës. Viktima Gentian Leti ka qenë duke drejtuar një automjet të tonazhit të rëndë, kur teksa përpiqej të shkarkonte krom, ka rënë nga një lartësi e madhe, duke pësuar dëmtime serioze. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë në një nga galeritë private të nxjerrjes së kromit në Thekën të Martaneshit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Burrelit, mësohet se 22-vjeçari Gentian Leti, i cili drejtonte një makinë të rëndë, ka qenë duke punuar me automjetin e tij në një galeri private kromi, kur është aksidentuar. Ai ka qenë duke transportuar sterile të mineralit të kromit nga hyrja e galerisë për në stogun e hedhjes së tij. Të njëjtat burime saktësojnë se në momentin e shkarkimit të trajlerit, automjeti ka rrëshqitur dhe është përmbysur, duke rënë nga një lartësi 50 metra. Dëshmitarët okularë kanë shpejtuar t’i japin ndihmën e parë. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të qytetit të Bulqizës, por çdo tentativë ka qenë e kotë. 22-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital, pa mundur të marrë asnjë ndihmë mjekësore. Ndërkaq pas sinjalizimit, një grup oficerësh të policisë gjyqësore dhe inspektorë të policisë kriminale kanë shkuar në vendngjarje. Ata kanë bërë ekspertizën e vendit ku ka ndodhur aksidenti dhe kanë mbledhur dëshmitë e punëtorëve. Ndërkohë po punohet për të përcaktuar shkaqet e vërteta të këtij aksidenti të rëndë ku humbi jetën aksidentalisht 22-vjeçari. Ky nuk është rasti i parë kur minatorë apo punëtorë të kromit bien viktimë e incidenteve gjatë punës për nxjerrjen dhe transportimin e mineralit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›