Rrëshqet rruga, 4 fshatra mbeten të bllokuar
Fushë-Bulqizë, me katër fshatra të saj, duke i lënë ata të bllokuar. Në orët e mëngjesit të ditës së djeshme është vërejtur rrëshqitje toke, në një gjatësi prej rreth 30 metrash në rrugën rurale që lidh rrugën nacionale Bulqizë-Shupenzë, me katër fshatra të Komunës Fushë-Bulqizë, në vendin e quajtur Kthesa e Muharremit. Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje kanë mbetur të bllokuar fshatrat Dushaj, Lepurakë, Gropë dhe Qiraj, pasi rrëshqitja e tokës e ka bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve. Banorët e këtyre fshatrave, shprehen tejet të indinjuar me Ndërmarrjen e Rrugëve Rurale në rrethin e Bulqizës, e cila, sipas tyre, nuk tregon kujdesin e duhur për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve. Po sipas këtyre banorëve, rrëshqitja e rrugës ka ndodhur për mungesë të hapjes së kanaleve anësore të saj, të cilët vazhdojnë të mbeten të bllokuar prej vitesh. Kryetari i Komunës Fushë-Bulqizë, Isuf Curri, tha për "Shqip", se ky segment rrugor brenda komunës së tij mirëmbahet nga Ndërmarrja e Rrugëve Rurale Bulqizë, në varësi të qarkut. Ndërsa shton se ne si komunë, duke parë mosinteresimin në vazhdimësi nga kjo ndërmarrje, kemi kërkuar pranë Këshillit të Qarkut Dibër, kalimin e saj në varësi të komunës. Por deri më tani çdo kërkesë e jona ka rënë në vesh të shurdhët. Ndërkohë, burime nga Ndërmarrja e Rrugëve Rurale shprehen se u mungojnë mjetet dhe fondet për të investuar për mirëmbajtjen e rrugës. Drejtuesit e automjeteve që punojnë në këtë rrugë, thonë se reshjet e fillimit të këtij viti e bllokuan rrugën për më tepër se dhjetë ditë dhe askush nuk u interesua për hapjen e saj. Por, ankesa të shumta kanë edhe vetë punëtorët që paguhen për mirëmbajtjen e këtij segmenti rrugor prej rreth 3 kilometër, ku, sipas tyre, jo vetëm që paguhen fare pak (për vitin që kaloi kanë marrë vetëm 9 mijë lekë në muaj dhe tani 13 mijë lekë), por ata thonë se nuk janë të siguruar, nuk kanë marrë rroba e çizme pune etj., gjë për të cilën akuzojnë drejtuesin e kësaj ndërmarrjeje. Siç edhe e shihni, tha njëri nga punëtorët e mirëmbajtjes, në të gjithë gjatësinë e këtij segmenti rrugor nuk ka asnjë gram skorie dhe kripë për situatat dimërore të motit me reshje.