Vizat, Shqipëria në fund të listës
Shqipëria renditet në vendin e 79-të përkrah vendeve si Kamboxhia, Libani, Pakistani dhe Sudani, lidhur me mundësinë e pajisjes së qytetarëve të saj me viza. "Henley & Partners" është një kompani e specializuar në emigracionin ndërkombëtar, këshillime dhe ligjin qytetar. "Henley & Partners" ka analizuar rregulloret e vizave të të gjitha vendeve dhe territoreve në botë. Ata kanë krijuar edhe indeksin, i cili i rendit vendet sipas aksesit dhe lirisë së marrjes së vizave që qytetarët e një shteti të lëvizin në vendet e tjera. Ky indeks është globalisht i njohur si "The Henley Visa Restrictions Index" ose "Indeksi i kufizimeve të vizave nga Henly". Në renditjen e 83 shteteve, ku kryesojnë vende si Danimarka, Finlanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria rezulton vetëm katër vende larg fundit. Udhëtimi nga njëri vend në tjetrin është një liri themelore, megjithatë e kufizuar nga lloji i pasaportës, që mban një individ. Në praktikë, udhëtimi në ditët tona po kufizohet veçanërisht për shkak të mungesës së parave, por në këtë artikull do të analizohet vetëm aspekti i kufizimit për sa i përket pajisjes me viza. Kjo luan një rol të rëndësishëm në kontrollin e lëvizjes të të huajve në kufij. Ato janë gjithashtu shprehje të marrëdhënieve mes vendeve dhe përgjithësisht reflektojnë statusin e një vendi brenda komunitetit ndërkombëtar. Udhëtimi i lirë, pa viza, në BE, ka qenë në krye të listës së kërkesave për qytetarët, nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Zona "Shengen" mbulon pjesën më të madhe të BE-së. Marrëveshja e lehtësimit të vizave mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor lehtëson procedurat e aplikimit për viza, por ajo nuk e përjashton plotësisht kërkesën për viza. Ligji për kufizimin e vizave në BE është Rregullorja e Këshillit 539/2001. Ky ligj rreshton të gjitha vendet, qytetarët e të cilëve kanë nevojë për vizë, që të hyjnë në zonën "Shengen" (Lista e zezë). Po ashtu, aty janë edhe vendet, qytetarët e të cilëve janë përjashtuar nga ky kufizim (Lista e bardhë). Komisioni Evropian ka vendosur një seri me standarde për t‘u përmbushur nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto janë kushte të natyrës teknike, si pasaporta me të dhëna biometrike të lexueshme nga pajisjet elektronike, apo adaptimi dhe implementimi i një sërë ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera më të gjera, si progresi në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigracionit ilegal. Sapo një vend i përmbush këto kushte, Komisioni do të bëjë një propozim zyrtar në Këshill, për të lehtësuar kufizimet e vizave për këtë vend duke amenduar Rregulloren e Këshillit 539/2001. Një vlerësim për progresin është bërë së fundmi dhe një raund i dytë vlerësimi është parashikuar që të bëhet në pranverën e 2009-ës, kështu që ka shpresë se pas një viti, qytetarët në Ballkanin Perëndimor të kenë pak më shumë liri për të udhëtuar jashtë.