E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri, 40 mijë përdorues drogash

Në vendin tonë regjistrohen plot 40 mijë përdorues të drogave. Edhe pse shëndetësia jonë nuk ka formuar një rrjet të integruar të dhënash, përsëri nga përpunimi i të dhënave, duke nisur nga vitet 1990, rezulton se në vendin tonë ka mijëra përdorues të lëndëve narkotike. Ndër më të përdorshmet renditet kanabisi, amfetaminat, apo ekstazi, një nëngrup i përdoruesve janë edhe ata që marrin kokainë, apo edhe heroinë. Moshat janë nga më të rejat te më të rriturat. Vëmendja për përdorimin e drogave në formën e cigareve bie mbi adoleshentët e gjimnazeve dhe të rinjtë e shkollave të larta. Dje, në një takim me specialistë të Shëndetit Publik, të dikastereve të ndryshme, mjekëve, organizatave dhe strukturave në shërbim të përdoruesve të lëndëve narkotike, janë bërë publike të dhëna, shifra, si dhe projekte në përmirësim të shërbimit dhe parandalimit të fenomenit.

Problematike për vendin tonë mbetet ende mungesa e një qendre multidisiplinore, e cila të qëndrojë e hapur 24 orë, të ofrojë shërbim psikoterapeutik, terapi zëvendësimi dhe metoda të tjera, si për meshkuj, ashtu edhe për femra.

Përdoruesit e drogave

Vëzhgimet dhe studimet e fundit konstatojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës, ekstazi, metamfetaminë. Këtu duhet theksuar rritja e vëmendjes sonë lidhur me prekursorët e këtyre substancave (efedrinë, pseudoefedrinë), të cilat janë substanca medikamentoze legale, që gjenden jo me vështirësi të madhe në tregun tonë farmaceutik dhe që në kushte të një teknologjie laboratorike primitive artizanale, modifikohen për përftimin e substancave në fjalë", u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ajo vlerësoi se tashmë ndeshemi me një kontingjent të ndjeshëm të subjekteve toksikodipendente dhe në këto kushte është asistenca trajtuese ajo që duhet të përbëjë prioritet, që në fakt është e pamundur të realizohet mjaftueshëm. "Konkretisht operon vetëm një strukturë trajtuese adiktive publike, klinika toksikologjike me kapacitet vetëm 10 shtretër dhe me modesti modalitetesh, ndërhyrje në krizë e detoksifikim, e cila përgjatë karrierës së saj, që më 1995-ën, ka trajtuar një numër relativisht të ndjeshëm toksikomanësh, rreth 14 mijë përdorues.

Trajtimi

Një tjetër institucion trajtues është komuniteti terapeutik rehabilitues "Emanuel", strukturë kjo jofitimprurëse, financuar nga kisha italiane. Që nga themelimi i saj në vitin 2000, në këtë qendër, e cila ka prioritet trajtimin në mënyrën e të sjellurit, janë trajtuar rreth 300 pacientë. Ndër shoqatat joqeveritare, aktiviteti i të cilave në lëmin e drogës është përqendruar kryesisht në nivelin e parandalimit primar dhe terciar, është veçuar dje OJF-ja Aksion Plus, e cila ka rreth 2 vjet që ka ndërmarrë implementimin e të parit program të terapisë mbajtëse me metadon në kushte optimale, ku janë përfshirë deri më sot rreth 250 toksikodipendentë.

Projekte në vazhdim

Struktura të reja trajtimi për përdoruesit

Transferimi i fundit i të vetmes klinikë toksikologjike publike, nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes, në atë të Ministrisë së Shëndetësisë, përbën zgjidhjen e një handikapi frenues për këtë shërbim dhe hap rrugën për ngritjen e institucioneve të tjera, përbërëse të zinxhirit trajtues.

Të gjithë specialistët e mbledhur në një tavolinë ishin të mendimit se vetëm kaq është e pamjaftueshme për të përballuar sfidën në frontin e kërkesës për drogë.

Ngritja e rrjetit trajtues/rehabilitues, me shërbime që të arrijnë maksimumin e numrit të individëve në nevojë, me efektshmëri të lartë dhe kosto të ulët, krahas kontributit në përmirësimin e elementëve të tjerë të aktivitetit për kontrollin e drogës, duhet dhe do të përbëjë boshtin e aktivitetit të strukturave shëndetësore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›