E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret rrezikojnë banesat e një fshati në Sarandë



SARANDË - Situatë problematike pas një zjarri të rënë në komunën e Mesopotamit dhe të Livrit në Sarandë. Nga flakët janë përfshirë fshatrat Navaricë, Lahovë, Dhrovjanin, duke u shtrirë gjatë gjithë malit të kësaj zone. Por ndërsa në shumicën e fshatrave zjarri ka “marrë përpara” ara dhe shkurre, në Dhrovjan ai u është afruar banesave, duke vënë në rrezik fshatarët. Me gjithë përpjekjet e zjarrfikëseve, zjarri nuk është mundur të lokalizohet. Në vend kanë mbërritur zjarrfikëse nga Delvina dhe Saranda, por flakët kanë vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes. Mësohet se banesat e fshatit Dhrovjan janë në rrezik, ndërkohë që në ndihmë kanë dalë gjithë banorët me mjete rrethanore.

Digjen qindra rrënjë ullinj, në rrezik tri fshatra

ELBASAN - Temperaturat e larta dhe era kanë ndihmuar që një zjarr i fuqishëm të përfshijë dje ullishtet në fshatin Balëz dhe Gurabardh pak kilometër larg qytetit të Elbasanit. Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe si pasojë zjarrfikësit e mbërritur menjëherë në vatrën e zjarrit e kanë pasur të pamundur të kontrollojnë flakët. Në flakë janë shumë rrënjë ullinj dhe ende nuk mund të thuhet asgjë për sipërfaqen e dëmtuar.
Burime nga vendi i ngjarjes, bëjnë të ditur se për shkak të territorit të vështirë zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur të ngjiten me mjete në pjesën e sipërme të fshatit. Për të shuar zjarrin kanë ndërhyrë edhe vetë banorët e zonës. Sipërfaqja e përfshirë është disa hektarë dhe zjarri po përhapet me shpejtësi. Në rrezik janë fshatrat Balëz dhe Grabardh, por edhe ullishtet e Elbasanit.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›