Rreth 300 fëmijë i kthehen bankave të shkollës
Rreth 300 fëmijë në rrethet Tiranë, Korçë e Berat, të cilët punonin në rrugë, ishin të trafikuar, apo në risk trafikimi, tashmë i janë kthyer bankave të shkollës. Kjo është vendosur në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar me temën “Mbi eliminimin e punës së fëmijëve në Shqipëri”, ku është zbatuar dhe faza e parë e këtij projekti.
Ndërsa faza e dytë e projektit pritet të fillojë shumë shpejt dhe do të zbatohet në rajonet ku është implementuar faza e parë, si dhe në dy rajone të tjera të reja, të cilat do të monitorohen. Koordinatorja e projektit, Shkëlqese Manaj, u shpreh se janë bërë disa vëzhgime dhe vlerësime të situatës së punësimit të fëmijëve në qytete si në sektorin informal dhe atë formal, por nuk ka vlerësime të situatës së punësimit të fëmijëve në sektorin e bujqësisë. Ministri i Punës, Kosta Barka, mblodhi dje Komitetin Drejtues Kombëtar për të diskutuar “Mbi eliminimin e punës së fëmijëve në Shqipëri”, me qëllim çeljen e fazës së dytë të këtij projekti që do të zgjasë dy vitet e ardhshme. I rëndësishëm është fakti i evidentimit të fëmijëve që kanë braktisur shkollën dhe punojnë si dhe punët që kryejnë. Por për këtë autoriteteve përkatëse u duhet ndihma e shkollave dhe drejtorive arsimore të rretheve.
4 Mars 2008