Ndoka: “Kushtet në spitalet e vendit, jashtë standardeve”
Kushtet në të gjitha spitalet e vendit janë jashtë standardeve të duhura. Ky fakt pranohet nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili shprehet se spitalet që nuk kryejnë funksionet e tyre do të kthehen në qendra shëndetësore. “Është e papranueshme që pacientët nga spitalet rajonale të vijnë drejt e në QSUT. Në momente të veçanta, kur spitalet janë afër njëri- tjetrit, do të rishikohet pozicioni i tyre si spital dhe eficienca e tyre”, - theksoi Ndoka. Sipas tij, do të merren masa ndaj spitaleve të rretheve që i dërgojnë pacientët për në Tiranë, ku duhet të vijnë vetëm rastet urgjente. Kështu është shprehur Ndoka pas konferencës kombëtare me temë: “Performanca spitalore në Shqipëri”. Ndërsa drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, Isuf Kalo, shpjegoi se nuk rezulton asnjë spital i vendit që të plotësojë standardet. “E vërteta është se nuk rezulton ndonjë spital që të ketë plotësuar standardet. Jemi koshientë për këtë“, - theksoi Kalo.
Gecaj: “Kamera në spitale për uljen e abuzimeve”
Vendosja e kamerave monitoruese në spitale do të bënte që të uleshin abuzimet në spitalet e vendit. Kjo procedurë do të ishte efektive nëse do të vendosej në të gjithë spitalet e vendit, pasi deri tani është zbatuar vetëm në Spitalin e Beratit.
Mëhill Gecaj, drejtor i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, u shpreh se pajisja e spitaleve me kamera monitoruese është një zgjidhje që mbetet në dorën e vetë administratave dhe është tepër e rëndësishme për zbardhjen e abuzimeve. “Vendosja e kamerave në spitale ul abuzimet dhe mitmarrjen mes mjekëve. Projekti ka nisur të zbatohet në Spitalin Rajonal të Beratit. Kamerat monitoruese në qendrat spitalore do të kontrollonin hyrje-daljet e panevojshme të njerëzve, por edhe do të vendosnin rregullin që aktualisht mungon”, - sqaroi Gecaj. Nga 60 spitale, vetëm ai i Beratit e ka zbatuar këtë projekt. Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila harxhon 70 për qind të buxhetit të saj vetëm për spitalet, vendosja e kamerave është një iniciativë e administratës së çdo spitali.
4 Mars 2008