E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 4 mijë familje duan shtëpi

29/12/2008  Sipas të dhënave, 922 familje kanë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të ardhura në muaj

Numri i aplikuesve shtohet përditë në 11 njësitë bashkiake të Tiranës

Rreth 4 mijë familje kërkojnë shtëpi në kryeqytet. Listë kjo që shtohet përditë, pasi aplikimi për të përfituar statusin e të pastrehuarit mund të bëhet në çdo kohë. Të dhënat janë për 11 njësitë bashkiake të Tiranës, ndërsa Drejtoria e Politikave të Strehimit ka klasifikuar edhe kategoritë e familjeve që kërkojnë shtëpi sipas të ardhurave. Në total janë 3937 aplikues, nga të cilët 3419 kanë kërkuar banesë me kosto të ulët, 491 kanë kërkuar banesë sociale me qira dhe vetëm 94 aplikues kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë.

Kategoritë

Pjesa më e madhe e të pastrehëve është ajo me të ardhura minimale. Sipas të dhënave të Drejtorisë të Strehimit, janë rreth 922 familje me të ardhura nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj. Ndërsa, 842 familje aplikuese kanë deklaruar se kanë më pak se 10 mijë lekë të ardhura në muaj. Gjithsesi, vërtetësia e deklarimit të të ardhurave lë shumë për të dëshiruar. Ky është një problem që është ngritur shpesh nga specialistët e kësaj drejtorie. Këtë argument e përforcon edhe fakti se numri i aplikantëve me të ardhura mbi 50 mijë lekë në muaj është i lartë, rreth 640 familje.

Banesat me qira

Në fillim të vitit 2009 pritet të nisin punimet për ndërtimin e 1 100 banesave sociale me qira. Kontrata e nënshkruar me Bankën për Zhvillim e Këshillit të Evropës që ka siguruar një kredi prej 15 milionë euro është nënshkruar në fund të këtij viti. Veç kësaj në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar 140 milionë lekë si kosto lokale dhe TVSH. Në projekt përfshihen 9 bashki, por pritet që në Tiranë të ndërtohen 400 apartamentet e para. Zona e përzgjedhur është ajo e ish-kombinatit të autotraktorëve. Në qytetet e tjera aktualisht janë transferuar sheshet e ndërtimit si pronë e bashkive dhe janë kryer studimet që janë miratuar nga këshillat e territorit.

Procedura

Të gjithë të pastrehët, përfshirë familjet të cilat kanë përfituar statusin e të pastrehut, sipas akteve ligjore në fuqi, duhet të plotësojnë dokumentacionin sipas një formulari tip të miratuar nga Ministria e Punëve Publike. Formularët e plotësuar dërgohen në zyrat e strehimit në bashki për t’u regjistruar në programin elektronik. Specialistët shpjegojnë se ky numër ndryshon periodikisht pasi qytetarët mund të aplikojnë në çdo kohë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një periudhe më shumë se 15-vjeçare sektori i strehimit ka qenë më produktivi duke kontribuar me afërsisht 10 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Enti Kombëtar i Banesave që nga viti 1993 ka menaxhuar rreth 12 miliardë lekë fonde për strehimin dhe me anën e tyre janë strehuar rreth 13 mijë familje në të gjithë vendin.

Statistikat e kërkesave sipas tre programeve sociale të parashikuara në ligj:

- Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 3 419 aplikues;

- Kanë kërkuar banesë sociale me qira 491 aplikues;

- Kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë 94 aplikues;

Nga formularët e regjistruar deri tani rezulton se:

- 3427 familje aplikuese nuk kanë përfituar nga ligji për privatizimet

- 2841 familje aplikuese banojnë deri në momentin e aplikimit në banesa me qira;

- 567 familje aplikuese banojnë në banesa rrezik shembje;

- 1391 familje aplikuese jetojnë në kushte të vështira higjieno-sanitare;

- 78 aplikues janë të verbër;

- 230 aplikues janë invalidë paraplegjik – tetraplegjik;

- 319 aplikues janë invalidë të punës;

- 33 aplikues janë invalidë lufte;

- 1501 aplikues janë jetim;

Të grupuar sipas të ardhurave:

- 842 familje aplikuese kanë më pak se 10 000 lekë të ardhura në muaj;

- 839 familje aplikuese kanë nga 10 000 – 20 000 lekë të ardhura në muaj;

- 759 familje aplikuese kanë nga 20 000 – 30 000 lekë të ardhura në muaj;

- 922 familje aplikuese kanë nga 30 000 – 50 000 lekë të ardhura në muaj;

- 642 familje aplikuese kanë mbi 50 000 lekë të ardhura në muaj;

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›