Rreth akuzave që më drejton z. Kristo FrashëriNga Mërgim KorçaNuk kam ndërmend ta analizoj shkrimin, me pretendimin “kritik” të historianit Kristo Frashëri, rreth një analize të gjuhëtares, zonjës Ledi Shamku, për “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjël
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rreth akuzave që më drejton z. Kristo FrashëriNga Mërgim KorçaNuk kam ndërmend ta analizoj shkrimin, me pretendimin “kritik” të historianit Kristo Frashëri, rreth një analize të gjuhëtares, zonjës Ledi Shamku, për “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjëllit. Megjithatë nuk hesht dot pa e pohuar se kritika ësht’e shkruar tej’e ndanë me një leksik që nuk ka se si ta nderojë një njeri që mendohet se është intelektual. Unë personalisht kam mbetur i befasuar e prandaj shpresoj që edhe gjuhëtarja t’i hedhë pas shpine fyerjet edhe insinuatat, mos të ndalet të merret me to por të vazhdoj’e të merret me punën e saj të vyer shkencore në lëmin e gjuhësisë.
Kurse unë do të ndalem rreth akuzave që më drejtohen, jo për t’iu përgjigjur z. Frashëri. Në asnjë mënyrë. Do të qé humbje kohe për mua. Por do të ndalem rreth tyre vetëm me pikësynimin se si mendoj unë se duhet të thuhet e vërteta. Nga ana tjetër sadopak dua t’u a sqaroj se si historianët prodhimtarë në shkrime tekstesh përgjatë periudhës diktaturës, mundohen t’i përligjin edhe sot e kësaj dite shtrembërimet që i kanë bërë historisë nëpërmjet deformimeve të fakteve ose, ç’ësht’edhe më e dënueshmja, duke i pasë fshehur faktet si edhe dokumentet kryekëput. Kurse momenti tjetër i rëndësishëm sipas meje, gjë edhe për të cilën e falënderoj sinqerisht z. Kristo Frashëri, është se dashur padashur po më detyron t’i a paraqis lexuesit biografin’e të ndjerit babait tim, Xhevat Korçës, gjë që deri më sot nuk e kam bërë i ndrojtur mos merret si mungesë modestíe.
Me që një analizë e mbështetur në drejtpeshim faktesh kërkon kritere shkencore të hartohet, po i a paraqis fillimisht integralisht si i formulon z. K. Frashëri akuzat ndaj meje që pastaj, jo në mënyrë evazive, por pikë për pikë edhe hap pas hapi të argumentoj këndvështrimin tim dhe lexuesi të ketë mundësinë t’i gjykojë pa asnjë paragjykim. Ja se si shprehet z. Kristo Frashëri:
“Dy fjalë për akuzën që zonja Ledi Shamku më drejton sikur unë paskam “ndihmuar në rrënimin e Lef Nosit” dhe se paskam “përgatitur platformën, të cilën e përdori Enver Hoxha për ta vlerësuar politikisht lëvizjen e Haxhi Qamilit të viteve 1914-1915”. Për këto akuza, zonja Shamku thotë se i ka lexuar në një shkrim të Mërgim Korçës. Unë nuk di se ku i ka gjetur Mërgim Korça këto njoftime, të cilat, me thënë të drejtën, po i dëgjoj për të parën herë nëpërmjet Ledi Shamkut. Di që këto nuk janë të vërteta. Di gjithashtu se Mërgim Korça nuk është historian dhe se, në mos gabohem, është biri i Xhevat Korçës. Di gjithashtu se Xhevat Korça u dënua me vdekje nga gjyqi special i vitit 1945 si kolaboracionist i okupatorëve fashistë, i cili, përveçse e përkrahu politikisht Benito Mussolinin të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë më 7 prill 1939, u bë anëtar (ministër i Arsimit) në qeverinë e formuar në dhjetor 1941 nën kryesinë e Mustafa Krujës. Për shkak të kohës tashmë të largët nuk ruaj mëri për këtë kolaboracionist, i cili e pranoi fajësinë e tij si kolaboracionist fashist dhe për këtë shkak u dënua mbase më tepër se ç’duhej. Duke lënë mënjanë fajin që ai kreu gjatë okupacionit fashist, Xhevat Korça ka për mua anën tjetër të curriculum-it të tij - është autor i monografisë së parë studimore kushtuar Skënderbeut nga një historian shqiptar, botuar më 1923 – një monografi me vlera shkencore. Veprën e tij si historian skënderbegian e kam vlerësuar si në monografinë “Skënderbeu, Jeta dhe vepra”, që kam botuar më 2002, ashtu dhe në pamfletin studimor me titull “Skënderbeu i shpërfytyruar”, botuar këtë vit. Duket se Mërgim Korça është ngarkuar aq tepër me mllefe, sa ose nuk di kë të godasë për turpin që i kreu i ati, ose kërkon të nxjerrë nga ky turp përfitime tani që kjo periudhë tranzicioni karakterizohet nga shpërthimi i mllefeve. Unë nuk habitem me të. Përkundrazi, habitem me zonjën Ledi Shamku që kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës. Sigurisht që ky akt nuk e nderon zonjën Shamku, e cila për të mbrojtur veten e saj nga gafat që ka bërë ndaj “Formulës së Pagëzimit” shfrytëzon mllefet e bijve të kolaboracionistëve fashistë dhe pa u siguruar nëse janë ose jo të vërteta, i përdor ndaj atyre që kanë luftuar kundër okupatorëve fashistë në një përplasje që nuk ka fare të bëjë me “Formulën e Pagëzimit”. Akuza që më bën për Lef Nosin është shpifje. Për Lef Nosin kam patur dhe e kam shprehur me shkrim pikëpamjen se ai ka qenë një patriot i shquar, se ka përballuar të gjitha tallazet tendencioze politike, se nuk u përzie në jetën politike as në periudhën e Zogut, se nuk mori pjesë as në administratën e okupatorëve fashistë italianë, vetëm se gaboi, kur pranoi emërimin si anëtar i Regjencës së periudhës së okupacionit hitlerian. Madje, si anëtar i Regjencës nuk u shqua për egërsinë që treguan Mehdi Frashëri dhe Patër Anton Harapi ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Si rrjedhim, nuk kam qenë dakord me dënimin e rëndë, që atij i dha gjyqi special i Pasluftë. Vetëm kaq!”
Nuk ka nevojë për thellim fakti që, akuzat e z. Kristo Frashëri ndaj meje, përshkohen nga tendenciozitet i theksuar. Kjo bije në sy dukshëm. Kjo më ndihmon nga ana tjetër të ve në dukje se si gjuha e përdorur prej tij e mbushur me fyerje, insinuata si edhe shtrembërime, ka qenë metoda tipike e përdorur nga shkencëtarët e shkencave shoqërore të kohës diktaturës.
Që në fillim, tek i referohet akuzës ndaj tij nga ana e znj. Ledi Shamku, z. K. Frashëri i shtrembëron faktet. Zonja L. Shamku citon faqen e librit tim “Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike” ku i referohem z. K. Frashëri. Kurse ky i fundit insinuon sikur unë veç problemit “Lef Nosi” qenkam shprehur edhe rreth platformës të cilën, të përgatitur nga profesori, e paska përdorur Enver Hoxha lidhur me vlerësimin politik ndaj Haxhi Qamilit. Nuk është aspak e vërtetë. Haxhi Qamilin as e kam zënë në gojë. Për rigorozitet saktësor i kujtoj lexuesit se në një letër timen dërguar miqve të mi, bashkëshortëve të ndjerë tashmë, znj. Nermin (Vlora) si edhe Renzo Falaschi, duke shprehur pakënaqësinë time rreth komisionit hartues të Historisë ripunuar të Shqipërisë e duke i analizuar të gjithë hartuesit, kur vij tek z. K. Frashëri shprehem: “. Lidhur me të, një kujtim personal i imi. (Fatkeqësisht këtë kujtim t’imin nuk kam mundur akoma ta bëj botërisht të njohur sepse nuk kam ndeshur në ndonjë person që të ma vërtetojë ... kur kanë kaluar jo pak po thuajse 60 vite nga ngjarja). Dhjetëra vite të shkuara, koh’edhe ngjarje thuajse të mbuluara nga tisi i harresës, ke parë që thuajse për ironi të fatit, u zhvillua gjyqi përgjatë të cilit u dënua me vdekje me pushkatim si kolaboracionist e tradhtar i atdheut, një farë Lef Nosi. Ndërmjet dëshmitarëve të akuzës ishte edhe një djalosh i zjarrtë i cili vetëm vrer i shtoi kupës tashmë plot’e përplot me akuza të pavërteta kundra të shkretit të hamendësuarit fajtor. Dhe a mundeni ju të kuturisni e ta gjeni se kush kishte qenë ky bukëshkalë? Asnjeri tjetër veçse ky dijetar i sotëm i shkencave historike, Kristo Frashëri! Megjithatë mos u shtendosni, miqt’e mi të dashur. Ka edhe më. Mbajuni tani fort mbas mbështetëseve të kolltukëve tuaj, në se të vërtetën ta dëgjoni do të dëshironi: Ndërsa profesori i ardhshëm po dëshmonte u dëgjua një zë femre nga radhët e publikut që bërtiti: “ Shokë të trupit gjykues, mos i kushtoni vëmendje gënjeshtrave të thëna nga im bir. Ai është një shpërbetár, (dëshmues i rremë - shënim i M. K.). Për dhjetëra familje elbasanase që e ngrysnin ditën të pangrënë, Lef Nosi ka qenë mirëbërësi i mbijetesës tyre ...!
Ky teksti të cilit znj. Ledi Shamku i është referuar. Ndonëse ky fakt asokohe diskutohej në familjet tona të përndjekura nga regjimi, unë e kam shtruar dyshimin tim se koha shum’e gjatë e kaluar si edhe mosgjetja e ndonjë personi që ta mbante mënd të njajtin fakt, më ndrydh dhe më bën të stepem ta quaj fakt historik e në vazhdim ta trajtoja siç i takon. Shtoj se, nëse z. K. Frashëri ësht’i bindur se pohimi im nuk i përgjigjet së vërtetës historike dhe sjell fakte duke zbardhur protokollin gjyqësor të Lef Nosit të ndjerë, sinqerisht do t’i kërkoja ndjesë. Nga ana tjetër, ndonëse nuk jam historian, nuk e besoj se lexuesi do të ma ndalonte, siç mëton historiani i indoktrinuar, të drejtën t’i referohem një historiani të mirënjohur siç është prof. B.Russel i cili thotë “Problemi i njerëzimit qëndron në faktin se ata që shiten si të ditur e paraqesin veten e tyre si të tejsigurtë në ato që thonë, ndërsa të mençurit e ditur janë vazhdimisht plot me mëdyshje!” (Për këtë përqasje i kërkoj ndjesë lexuesit se mund të duket si mungesë modestíe, por unë e paraqita vetëm për të treguar se ndonëse nuk jam historian, me aq aparat shkencor sa kam në dorë si edhe pesë gjuhët e huaja të cilat i flas edhe i shkruaj veç shqipes), mundohem të mësoj nga njerëzit e shquar të asaj disipline edhe të veproj sipas mësimeve të tyre.
Vijmë tashti te metodat e përdorura nga aradha e shkencëtarëve të periudhës diktaturës të cilët çirreshin duke i shtrembëruar faktet historike konform ideologjisë partisë e vazhdojnë akoma të çirren duke i mbrojtur mashtrimet, shtrembërimet si edhe shpifjet e bëra me shpresën të ruajnë fytyrën e tyre! Edhe metoda e z. K. Frashëri është pikërisht në sintoní me atë frymë. Që të më nxjerrë mua jashtë loje, bën pohimin se unë nuk jam historian. E me këtë mëton që unë nuk e paskam të drejtën të shprehem lidhur me fakte ose analiza karakteri historik. Kurse për të më asgjësuar, kapet tek im atë i dënuar nga regjimi komunist. ǒështë kjo? Asgjë më pak e asgjë më shumë se sa lufta e kllasave e predikuar nga Enver Hoxha! Kësaj metode unë i them kollaj “ndalu beg se ka hendek”! Sa për kulturë të përgjithshme në fushën e historisë, u a kujtoj historianëve akoma të indoktrinuar se historiani i mirënjohur prof. Wineburg ka pohuar “Kur historianëve me indoktrinim u vihet në dukje se kanë mospërputhje ndërmjet teorive të tyre si edhe fakteve, ata as që stepen ta shtrembërojnë teorinë që t’u përshtatet fakteve ose anasjelltas e shfytyrojnë ose e zhdukin evidencën!” E në vazhdim ai shton se “Parë më gjerë ky problem, kur bëhet vlerësimi i burimeve historike si edhe i strategjive të mendimit për të interpretuar dokumente historike, është fatkeqësi kur me këtë punë merren njerëz me mangësi të theksuara kulture të përgjithshme!”
Po kjo gjë në fushën e drejtësisë. A nuk u thotë gjë kategorisë së këtyre historianëve ky pohim, në një kohë që ata i konsiderojnë të mirëqenë dënimet e dhëna nga kryetarë trupash gjykues teneqexhinj ose prokurorë ish kapterë ushtrie? E të gjykuarit si edhe të dënuarit nga Koçi Xoxi e Bedri Spahiu me shokë si kolaboracionistë e tradhtarë, historianët e partisë i ngritën dhe i ulën si të tillë, edhe kur po ata “pseudogjykatës” mbas pak kohe dënoheshin me vdekje ose kalbeshin burgjeve me urdhrin e diktatorit!
Lidhur me mungesën e shtyllës kurrizore të shkencëtarëve historianë që hartuan libra mbas librash e tekste mësimore përgjatë periudhës diktatoriale, do t’i referohem historianit tashmë me emër në botën perëndimore, profesor Richard J. Evansit i cili në librin e tij “Në Mbrojtje të Historisë” shprehet “Historianët e antikitetit ishin ata të cilët i ngrinin në qiell veprimet e princërve e kështu, për shumë periudha të gjata kohe, historia ishte ajo e klasave drejtuese”. A nuk tingëllon ky pohim sikur prof. Evansi po i krahason historianët e periudhës diktaturës me ata të antikitetit? I drejtohem tashti lexuesit me pyetjen aspak retorike por konkrete: a duhet të jesh specialist historie që t’i qëmtosh këta pohime e të bësh edhe paralelizmat e duhura? Po ashtu, sa bukur e ka theksuar historiani italian me emër të madh në fushën e tij, prof. Pietro Coppola “Përgjatë periudhës fashiste disiplina historike ishte zyrtare, ishte ajo e përpunuara nga katedrat universitare sipas kritereve të regjimit: çdo fakt që binte ndesh me të shpërfillej, lihej më një anë, e mbulonte errësira. Kurse sot ka kaq shumë lirí pikëpamjesh e debatesh rreth fakteve historike sa që janë krijuar edhe shkolla të ndryshme historike!” E në fund shton “Sa të drejt’e ka patur Winston Churchill-i i cili theksonte se DITURIJA SI EDHE ARËSYEJA FLASIN, NË NJË KOHË QË INJORANCA DHE FAJËSIJA ULËRIJNË!”
Për ta gjallëruar para lexuesit portretin e z. K. Frashëri me shokë, lidhur me gjuhën e bigëzuar që përdorin, ky i fundit përgjatë një debati me shkrim me një ish kolegun e tij z. Teodor Kareco, shprehet integralisht: “Unë nuk do t’i përgjigjem Teodor Karecos me të njëjtën monedhë. Edukata ime familjare, kodi shoqëror i mirësjelljes dhe formimi im kulturor nuk më lejojnë t’i përgjigjem atij me fyerje, me sharje, me akuza as morale, as politike, as shkencore, siç ai i ka përdorur pa kursim ndaj meje. Eksperienca ka treguar se fyerjet, sharjet dhe akuzat në një debat, të paktën shkencor, janë armë e atyre që nuk kanë argumente në torbë dhe xhepat me arsyetime i kanë të shpuara. Në një debat shkencor sharjet, fyerjet dhe akuzat përdoren zakonisht për të shkaktuar mjegullnajë dhe për të mbuluar mungesën e argumenteve. Ato u ngjajnë shashkave që trembin laraskat”. Në parim z. K. Frashëri e paraqet veten si moralist të kulluar e gjithashtu edhe tejet pedant në administrimin e fakteve. Mirëpo faktet, për fatin e tij të keq, flasin krejt ndryshe. Konkretisht shtroj akuzat që z. K. Frashëri i drejton Xhevat Korçës:
1- Përkrahu politikisht Benito Mussolinin të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë.
2- U bë ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, e pra kolaboracionist.
3- Këto janë turpe të kryera prej Xhevat Korçës.
4- Unë, (Mërgim Korça), nuk di kë të godas, (për turpin e kryer nga im atë), ose dua të nxjerr përfitime.
Besoj se lexuesit i bije menjëherë në sy se sa kundërthënës është me vetveten z. K. Frashëri, tek formulon katër akuzat e mësipërme, duke i krahasuar këto akuza me moralin që mundohet të shesë përgjatë pohimeve që bën përgjatë debatit me kolegun e tij z. Teodor Kareco. Prandaj, duke e falënderuar historianin, vij tek rasti që ai më jep të sjell fakte, e asgjë më shumë se sa fakte, nga biografia e Xhevat Korçës!
Për personalitetin e Xhevat Korçës kanë shkruar shumë autorë. Profesor Ardian Ndreca, i Universitetit Urbanian të Romës, i ka kushtuar një kumtesë të tërë me titullin: Xhevat Korça, shembull i qëndrimit moral për intelektualët shqiptarë. Mësuesi shkodran veteran z. Sadik Miloti, ish-nxënës i Xhevat Korçës, ka botuar si në shtypin shqiptar edhe në atë kosovar rreth biografisë së figurës madhore patriotike të Xhevat Korçës. Autori Dr. Pjetër Pepa ka shkruar gjerë për Xhevat Korçën në vëllimin Dosja e Dikaturës. Po ashtu rreth Xhevat Korçës kanë shkruar edhe autorë të tjerë si z. Tomor Aliko e z. Agim Musta me shokë. Ndërsa unë do të sjell vetëm episode si edhe fakte të dokumentuara që gjenden shumë lehtë. Së pari, dua të ve në dukje se Xhevat Korça ishte i njohur si kundëritalian. Ja edhe faktet:
Përgjatë gjyqit special të prillit 1945, prokurori Bedri Spahiu e akuzon të pandehurin Xhevat Korça:
I shitur ndaj italianëve. ligjin në dikasterin e Arsimit e bënte këshilltari italian. Këtë akuzë e hodhën poshtë dy nga dëshmitarët mbrojtës të Xhevat Korçës si edhe paraqitja e një qarkoreje.
Lidhur me pjesën e parë të akuzës zonja Lejla Bumçi, e shoqja e z. Rudolf Bumçi, (të cilët familjarisht banonin në Fiume), pohoi para trupit gjykues të drejtuar nga Koçi Xoxeja, se si kishte qenë dëshmitare pamore, kur Xhevat Korça kishte formuluar telegramin adresuar Mbretit Zog me të cilin i drejtohej këtij të fundit duke i thënë t’i harronin inatet e ndërsjella dhe Mbreti t’i lejonte kundërshtarët e tij politikë si Xhevat Korça me shokë, për hirin e Kombit Shqiptar, të hynin në Shqipëri e krah përkrah me Zogun ta prisnin me pushkë ushtrinë italiane kur ajo ta sulmonte Shqipërinë. Gjithashtu zonja L. Bumçi shtoi se, që të mos e hetonte spiunazhi italian telegramin në fjalë, Xhevat Korça me të shoqen së bashku me çiftin Bumçi, shkuan në qytetin jugosllav Sushak si për një shëtitje, (të cilin nga Fiume-ja e ndante një urë), dhe që atje e kishin nisur telegramin.
Nga ana tjetër zonja L. Bumçi dëshmoi edhe se, ditën e 7 prillit ajo me gjithë të shoqin sërishmi ndodheshin në apartamentin e Xh. Korçës duke dëgjuar në radio lajmet lidhur me zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri. Bije zilja e derës dhe hyjnë një gazetar italian i shoqëruar nga një drejtues i kuesturës së Fiumes dhe duke i u drejtuar Xh. Korçës e duke i thënë që si kundërzogist që ishte të bënte një deklaratë lidhur me kënaqësin’e tij që ushtria fashiste e dëboi nga Shqipëria Mbretin Zog, Xhevat Korça u kishte thënë me lot në sy ... shporrmuni që këtej se sot ju na e pushtuat Atdheun!
Kurse dëshmitari tjetër z. Fuad Asllani i deklaroi trupit gjykues se, kur kishin qenë studentë në Universitetin e Vjenës, Xhevat Korçën e kishin patur simbolin e patriotizmës, gjë që e meritonte si luftëtar i lirisë dhe pavarësisë kombëtare si pjesëmarrës në çetën e Spiro Bellkamenit e pastaj edhe të Themistokli Gërmenjit. Gjithashtu ai kishte sjellë, për pjesën e dytë të akuzës, edhe një kujtim të freskët personal. Zoti Fuad Asllani deklaroi se kur kishte vajtur ta takonte Xhevat Korçën në zyrën e tij në ministri së bashku me mikun e përbashkët zotin Faik Dishnica, mbas pak kishte trokitur dera dhe kishte hyrë këshilltari i Ministrisë Arsimit, Prof. Sestilio Montanelli, (i ati i gazetarit Indro Montanelli). Kishte marrë drejtqëndrim dhe i kishte kërkuar leje ministrit të largohej nga zyra e të shkonte se e kërkonte në takim Mëkëmbësi i Mbretit, Jacomoni. Xhevat Korça kishte shikuar orën dhe i kishte thënë ... mund të shkosh por mos u vono. Në orën 12 kemi një mbledhje. Sapo qe larguar këshilltari, zoti F. Asllani i kishte thënë ministrit ... që je i prerë e dinim, edhe si anti-italian të njihnim, por që t’ia bëje kështu këshilltarit, nuk e merrnim dot kurrë me mend!
Avokati i Xh. Korçës me atë rast i paraqiti trupit gjykues edhe një qarkore të lëshuar dhe nënshkruar nga kryekomandanti i forcave ushtarake në Shqipëri, gjenerali Dalmazzo. Me anën e asaj qarkoreje urdhëroheshin komandat italiane të dislokuara në Shqipëri që, sa herë të shkonte në prefekturat ku i kishin selitë komandat në fjalë ministri Xhevat Korça, të gjurmohej nga afër si person me tendenca komuniste.
E ndjej për detyrë të saktësoj se si akuza e prokurorit e gjithashtu dëshmitë janë të materializuara në protokollin e seancës gjyqësore të gjyqit special kundra të pandehurit Xhevat Korça. Kurse qarkorja e gjeneralit Dalmazzo ndodhet në Arkivin e Shtetit tek fondi Xhevat Korça, (fond që deri në vitin 1991 mund të shfrytëzohej vetëm me autorizim special nga historianët si z. K. Frashëri me shokë, ndërsa sot shumë më thjeshtë mund të gjurmohen dokumentet e arkivuara në atë fond).
Lidhur me dëshmít’e paraqitura si edhe me dokumentin e Komandës Italiane të cilat e hodhën poshtë akuzën e prokurorit Bedri Spahiu, nuk mundem të rri tashti pa i u referuar akuzës së parë që formulon për Xhevat Korçën zoti K. Frashëri. Së pari, pohoj se akuza e parë e këtij studiuesi historie ta kujton një për një pohimin e prof. Pietro Coppola-s lidhur me historianët e epokës fashizmit në Itali të cilët çdo fakt që binte ndesh me kriteret e regjimit e shpërfillnin, e linin më një anë dhe e mbulonte errësira. Mirëpo nisur nga fakti se sipas z. K. Frashëri, duke mos qenë unë historian, e pra duke mos e patur unë idenë se si i qëmtojnë, i grumbullojnë, i klasifikojnë, i analizojnë e pastaj edhe i interpretojnë faktet z. K. Frashëri me shokët e tij, po ndjek shtegun tjetër, jo atë të historianit por të krahasimit të dokumenteve që u paraqitën, me pohimet e vetë z. K. Frashëri në debatin me kolegun e tij z. Teodor Kareco. Në cilën kategori ta vendos akuzën si përkrahës politik të Benito Mussolinit në pushtimin e Shqipërisë që historiani i nderuar i drejton Xhevat Korçës? Si i a lejojnë edukata familjare, kodi shoqëror i mirësjelljes, formimi kulturor etj., etj. z. K. Frashëri të ngrejë këtë akuzë duke i patur xhepat bosh sa u takon argumenteve? Mos kjo akuzë u ngjet shashkave të laraskave?
Vazhdojmë tashti me akuzën e dytë të z. Kristo Frashëri ndaj Xhevat Korçës duke e quajtur kolaboracionist sepse pjesëmarrës në qeverin’e kryesuar nga Mustafa Kruja dhe pra doemos, si nënkuptim, fajtor! Për ta trajtuar edhe këtë “shashkë laraskash” të z. K. Frashëri ndaj Xhevat Korçës, i kërkoj leje lexuesit që para se të vij në përfundimin e sipërpërmendur, të sjell dokumente e fakte historikë rreth kësaj akuze.
Sa është spekuluar edhe akoma vazhdon e spekulohet me këtë term të cilin ideologjia komuniste e transformoi në tabú për 47 vite me radhë e si pasojë, si ajo pika e ujit, e cila e shpon gurin jo për intensitet goditjeje po për kohëzgjatje të sajën, sapo një personi i vihej epiteti kolaboracionist, ai automatikisht bëhej i pandehur edhe dënohej nga diktatura!
Marr shkas ta trajtoj këtë problem shumë delikat me shpresën që sadopak, studiuesve të rinj, t’u sqaroj disa momente e njëkohësisht t’ua sheshoj shtegun e ndjekjes fakteve dhe të vërtetave historike të cilin aq të minuar u a bën ky term.
Si kolaboracionizëm e kompromis politik i parë, njihet kolaboracioni i bërë verën e vitit 1939 ndërmjet Hitlerit edhe Stalinit. Të dy ishin të interesuar të fitonin kohë. Me që ishte Gjermania e cila diktonte kushtet, cila qe monedha e shkëmbimit? Dorëzimi nga ana e Bashkimit Sovjetik Gjermanisë i dhjetëra-mijëra komunistëve gjermanë si edhe austriakë që kishin ikur nga vendet e tyre kapitaliste të gjenin çerdhen e lirisë në Bashkimin Sovjetik! Sa për dijeni, Stalini e shkarkoi menjëherë ministrin e Jashtëm Litvinovin (hebré rus) se qe me ndjenja antigjermane (se këta antisemitë) dhe emëroi Vjaçeslav Molotovin që së bashku me Ribentropin e nënshkruan traktatin kolaboracionist të mossulmimit! Por ama shtoj se kurrë Stalinin, profesorët historianë shqiptarë si z. K. Frashëri me shokë, nuk e quajtën kolaboracionist!
Vijon numrin e nesërm