Rrethrrotullimi lëshohet në qarkullim në fund të tetorit

Punimet që po zhvillohen në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës, që tash e sa kohë i kanë “zënë frymën” trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit, pritet të përfundojnë në fund të muajit tetor, ka njoftuar ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, gjatë vizitës që u bëri të hënën punimeve që janë duke u kryer në rrethrrotullimin në hyrje të kryeqytetit, ka thënë se punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe në afatin e paraparë do të përmbyllet ky projekt.
“Ajo që është më e rëndësishme, është se gradualisht po hyjmë në fazën përmbyllëse të këtij projekti madhor, të infrastrukturës në Kosovë, jo vetëm për Prishtinë, por për gjithë Kosovën dhe sigurisht që ne kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve. Brenda afatit dinamik të paraparë për realizmin e këtij projekti, që mund të kemi edhe ndonjë pengesë të vogël në qarkullim, por jemi të bindur se kolona në rrugë nuk do të ketë”, ka potencuar ministri Mujota.
Ai ka shtuar se që brenda 10 ditëve do të lëshohet në qarkullim një pjesë e urës që vjen nga drejtimi Shkup-Mitrovicë, ndërsa përfundimi final i gjithë rrethrrotullimit sipas tij do të bëhet në fund të muajit tetor.
“Jam i bindur se gjithë ekipi po punon mirë dhe ka bërë një presion pozitiv edhe të kompanive, por edhe brenda afatit dinamik ligjor, punimet tanimë veç po përfundojnë, ku i kemi fazën e dytë të punimeve. Jemi të bindur se deri në fund të tetorit, rruga përkatësisht rrethrrotullimi, do të jetë në qarkullim të plotë, ndërsa lehtësimet e para do të ndodhin pas 10 dite”, ka thënë ai.
Ndërsa ndërtimi i infrastrukturës në Kosovë po sjell probleme edhe tek shpronësimi i tokave. I pyetur nga gazetarët nëse ka probleme lidhur me shpronësimin e tokave tek autostrada, ministri Mujota ka thënë se aty nuk ka probleme me shpronësime, falë vendimit të Qeverisë dhe se nuk pritet asnjë pengesë në realizimin e projektit të autostradës sa i takon çështjeve të shpronësimit.
Në anën tjetër sipas tij problem në shpronësim po paraqiten tek rruga Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Pejë, e që po punohet maksimalisht që të zgjidhen ato probleme.
“Tek rruga Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Pejë problemet shpronësore kanë ekzistuar dhe ekzistojnë ende, ne po punojmë maksimalisht që t’i zgjidhim këto probleme pas pak ditësh. Në mbledhjen e parë të radhës të Qeverisë do të merret vendim për shpronësim në drejtim Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Pejë, dhe natyrisht kjo nënkupton edhe problemet shpronësore të rrethrrotullimit ku jemi aktualisht, pra po punohet intensivisht që të zgjidhen këto probleme”, ka theksuar Mujota.
Për më tepër ndërtimi i rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës, që është projekti më i madh i këtij lloji në Kosovë, ka filluar të ndërtohet në vitin 2008./kp/