Sistem me vend
Klubet klubeve e përkrahin Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për ndryshimet që bëri të shtunën në sistemin e garave. Sipas tyre, sistemi i ri do ta bëjë më interesante dhe atraktive Superligën, cilësia e së cilës vit pas viti po bie.
Udhëheqësit e FBK-së e aprovuan kërkesën e Këshillit Profesional për ndryshimin e sistemit të garave. Me këtë rast, kampionati i rregullt luhet me sistem dy herë vajtje–ardhje, me gjithsej 28 xhiro. Në play-off inkuadrohen gjashtë skuadrat e para të renditura në tabelë në krahasim me 4, sa ishin në sistemin e vjetër.
Në çerekfinale pushojnë dy skuadrat e para, ndërsa luajnë për inkuadrim në gjysmëfinale e treta me të gjashtën dhe e katërta me të pestën (3x6 dhe 4x5). Këto ndeshje luhen me dy ndeshje të fituara. Në gjysmëfinale takohen i pari me fituesin e çiftit 4x5 dhe i dyti me fituesin e çiftit 3x6.
Po ashtu, edhe në këtë rast luhet me dy ndeshje të fituara. Fituesit e gjysmëfinaleve takohen në finale të play-offit, ku luhet me tri ndeshje të fituara. Nga Superliga largohen dy skuadrat e renditura në pozitat shtatë dhe tetë, në krahasim me një direkt, dhe një që luante në play-off, sezonin që shkoi.
“Derisa Federata e ka paraparë një sistem të tillë, duhet të jetë i qëlluar. Mendoj se mund të jetë më atraktive dhe diçka e mirë. Deri tash, ekipi i shtatë në tabelë, që e siguronte play-outin, pothuajse e kishte të sigurt mbetjen në ligë, kurse tash do të bien dy ekipe direkt”, deklaroi ndihmës trajneri i Sigal Prishtinës, Fikret Shatri.
– “Pastaj, në play-off do të inkuadrohen gjashtë ekipe, kështu që i pesti dhe i gjashti mund të përforcohen dhe të ngritet cilësia. Por, për efektet adekuate të këtij sistemi të ri mund të flasim vetëm pas një viti. Unë sidoqoftë e përkrah këtë sistem, përse të mos provohet diçka e re”, shtoi ai.
Edhe trajneri i Pejës, Bujar Loci, e përkrah kyçjen e sistemit të ri të garave nga ana e shtëpisë së basketbollit kosovar. Ai thotë se ky sistem kishte funksionuar edhe në të kaluarën, kur ishte aplikuar në basketbollin e këtushëm.
“Ky sistem është përdorur edhe më herët në Kosovë. Mendoj se me të, liga do të jetë më interesante. Do t’i jepet fuqi pozitës 5 dhe 6, të cilat do të mundohen të bëjnë përforcime dhe të kërkojnë më shumë në garat e play-offit. Edhe sa i përket pozitave të fundit, mendoj se ekipet do të japin më shumë, për të mos rënë nga liga”, tha Loci.
Në anën tjetër, drejtori sportiv i Trepçës, Naim Hajrizi, duket më skeptik nëse do të ‘dhez’ sistemi i ri që e aprovoi FBK të shtunën. Ai e përkrah këtë sistem, por mendon se kriza që i ka kapluar klubet, nuk do të lë vend për përparime në basketboll.
“Nuk ma merr mendja që do të ndryshojë shumë ky sistem i ri, ngase klubet janë në krizë financiare. Ka prej tyre që nuk e dinë nëse do ta nisin sezonin apo jo. Ndoshta ky sistem është i mirë për basketbollin kosovar, por për momentin nuk shoh ndonjë ndryshim”, tha ish basketbollisti mitrovicas.
Udhëheqësit e basketbollit të Kosovës e bënë këtë ndryshim të sistemit të garave me qëllim që liga të jetë më atraktive, konkurruese dhe pse jo, të ngritet edhe cilësia e klubeve. Rezultati i këtij sistemi të ri do të shihet vetëm pas një viti, kur edhe do të bëhen llogaritë.