E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik nga City

Ylli i Manchester Unitedit, Wayne Rooney beson se rivali i qytetit, Manchester City do të jetë konkurrent për titull në Premierligë në sezonin e ri. Sa i përket të ardhmes së tij, sulmuesi insiston se kurrë nuk ka menduar të largohet nga Anglia. Ai thotë se nuk ka arsye të braktisë Manchesterin. Nga Express më 29 korrik 2011 në ora 11:16

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney beson se fqinji Manchester City do të luftojë për titull në Premierligë sezonin e ardhshëm. Javën e kaluar ish idhulli i Djajve të Kuq, David Beckham mohoi zhvillimin e shpejtë të Cityt në vitet e fundit, duke thënë se “ata kurrë nuk do të bëhen si Manchester United”.

Por, Rooney ka pranuar se rivali i qytetit paraqet kërcënim dhe mendon se ata do të jenë në mesin e konkurrentëve për titull në Premierligë në edicionin e ri.

“Janë së paku pesë ose gjashtë ekipe që mund të luftojnë për titull këtë vit, në mesin e tyre Manchester City”, tha Rooney gjatë një interviste me të përditshmen sportive italiane La Gazzetta dello Sport.

“Por, në Premierligë, më tepër se në cilindo shtet tjetër, duhet të djersiteni edhe kur takoheni me skuadra që gjenden në fund të tabelës”, shtoi ai.

Rooney është ende vetëm 25 vjeç, por i tha të përditshmes italiane se nuk planifikon të largohet nga Anglia gjatë karrierës së tij si futbollist. “Kurrë nuk kam menduar rreth kësaj. Jam i lumtur në Manchester dhe në Angli, e kam familjen time këtu dhe nuk kam arsye të largohem”, theksoi ai.

Nëse Rooney nuk do të ishte anglez, ai pranon se do të kishte pasur dëshirë të luante për Kombëtaren e Brazilit, por ylli i Manchester Unitedit pranon se është edhe adhurues i madh i futbollit italian.

“Jam rritur duke e shikuar Serie A në televizion. Ishte futboll të cilin e njihnin të gjithë, ndoshta më i bukuri në Evropë. Sigurisht, tani nuk është njësoj si në të kaluarën, por nëse shikoni një ekip si Milan, plot me kampionë, është gjithmonë spektakël i mirë. Ende kënaqem me të (duke shikuar futbollin italian). Milan është ekipi që më pëlqen më së tepërmi edhe historikisht. Ne jemi takuar me ta disa herë dhe nuk mund të harroj dy humbjet prej tyre në Ligën e Kampionëve. Para se të pensionohet, isha adhurues i madh i Maldinit. Ai ishte gjithmonë një shembull. Tani më pëlqen Clarence Seedorf”, u shpreh reprezentuesi anglez.

I pyetur se cilat skuadra i pëlqen t’i përcjellë përveç të tijen, Rooney përmendi dy gjigantët nga La Liga, Real Madrid dhe Barcelona, ndërsa rezervoi lëvdata të veçanta për Lionel Messin.

“Përveç Manchesterit, nuk ka dyshim, Real Madrid dhe Barcelona. Ata kanë shumë futbollistë të talentuar. Sa i përket se cilin futbollist kurrë nuk lodhem së shikuari, është e qartë, Messi. Ai është i shpejtë dhe shumë inteligjent. Kur e shihni në fushë, gjithçka duket e thjeshtë”, përfundoi Rooney.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›