"Drejtori" i vërtetë i burgut

Fakte tronditëse
Pavarësisht kësaj, të arratisurit dhe punonjësit e burgut sollën fakte të reja rreth ngjarjes së 5 prillit. Para prokurorit të çështjes, Sabri Kastrati dhe gjyqtarit Artan Çupi, i arratisuri Fran Marashi, i dënuar me burgim të përjetshëm, u ankua se nuk ishte mjekuar në kohën e duhur pas plagëve të marra gjatë largimit nga burgu. Po ashtu, Marashi u shpreh se kërkonte të kishte si avokat në këtë çështje Maks Haxhinë, mirëpo nuk i ishte dhënë mundësia për të komunikuar me të. “Bllokun me numrat e telefonit që kisha ma keni marrë ju”, tha Marashi. Pas kërkesës së tij për avokat, gjyqtari Çupi vendosi caktimin e një avokati kryesisht fillimisht. Edhe pse më pas mediat nuk u lejuan të qëndronin në sallë, për shkak të sekretit të hetimeve, mësohet se Marashi deklaroi se “më lehtë se nga burgu i Burrelit nuk mund të dalësh nga asnjë burg tjetër”. I pyetur rreth mënyrës së arratisjes, ai u shpreh se tentativa për të lënë qelitë e ftohta të burgut të Burrelit kishte nisur 5 muaj më parë. “Çdo ditë është menduar e punuar për t’u arratisur”, pohoi Marashi në prani të prokurorit, gjyqtarit dhe avokates së tij. Më tej ai shpalosi para trupit gjyqësor një detaj interesant për mënyrën sesi janë menaxhuar shërbimet në dhomat e izolimit dhe mjediset e brendshme. “Çelësin e kuzhinës dhe magazinës së ushqimeve të të dënuarve e mbante prej kohësh Admir Tafili, vrasësi i Arben Zylyftarit, ish-drejtorit të policisë së qarkut të Shkodrës. E merrte atë në orët e para të mëngjesit dhe e dorëzonte në orët e vona të natës”, tregoi ai. Nga ana e tyre, gardianët thanë se nuk janë instruktuar nga oficeri i rojës, nuk janë shoqëruar për në vendin e shërbimit ku bëhet dorëzimi i armës dhe çelësave, e se oficeri i rojës nëpërmjet kamerave të sigurisë i ka pasur të gjitha mundësitë të shihte qartë lëvizjet e të dënuarve dhe punonjësve të sigurisë.