E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik t`i lëshojë zemra

Fabrice Muamba, i cili pësoi sulm në zemër në fushë, i ka shqetësuar të gjitha vendet, në të cilat është shtuar frika se raste të njëjta mund të ngjajnë edhe nëpër stadiumet e tyre. Arsye për t’u shqetësuar ka edhe Kosova, pasi Qendra e Mjekësisë Sportive vetëm këtë sezon i ka identifikuar rreth 27 futbollistë me probleme kardiake. Megjithatë, ata vazhdojnë të luajnë futboll.

Sulmi në zemër, që e pësoi në fushë futbollisti i Boltonit, Fabrice Muamba, përveç Anglisë, ka ngjallur panik edhe te shumë shtete tjera, në të cilat është shtuar frika se raste të njëjta mund të ngjajnë edhe nëpër stadiumet e tyre.

Por, edhe Kosova ka arsye të frikësohet nga ky fenomen, i cili së fundi po e godet botën e futbollit, pasi deri më tani shumë lojtarë kanë pësuar sulme të tilla në zemër, me ç’rast disa nga ta edhe kanë ndërruar jetë.

Andaj, duhet theksuar se as futbollistët kosovarë nuk i kanë punët aq mirë nga rreziku që u kanoset për të pësuar sulme të tilla në zemër.

Në fakt, para fillimit të çdo sezoni tash e disa vite rresht, lojtarët janë të obliguar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) që t’u nënshtrohen kontrollimeve mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Sportive në Prishtinë.

Që prej kur e ka nisur punën kjo qendër, doktorët e saj i kanë identifikuar rreth 194 futbollistë kosovarë, përfshirë edhe lojtarë të gjeneratave më të reja, të cilët kanë kryesisht çrregullime të ndryshme kardiake, por edhe probleme tjera, si për shembull me frymëmarrje.

“Deri në vitin 2010, sa isha në Qendrën e Mjekësisë, i kam bërë 4 mijë kontrolle të futbollistëve dhe te 167 prej tyre janë dëgjuar zhurma të ndryshme në zemër”, deklaroi për Express doktor Agron Rexhepi, i cili e njeh shumë mirë gjendjen shëndetësore të sportistëve kosovarë.

Ndërsa drejtori i kësaj qendre, Shkëlzen Rexhaj, ka thënë se gjatë vitit 2011, pas largimit të Agron Rexhepit, doktorët e qendrës i kanë identifikuar edhe 27 futbollistë tjerë që kanë probleme shëndetësore thuajse të njëjtës natyrë.

“Para fillimit të sezonit pranveror, pra në vitin 2011, i kemi bërë 1810 kontrolle. Kurse para sezonit vjeshtor i kemi bërë edhe 1910 kontrolle tjera. Prej gjitha këtyre i kemi identifikuar 27 raste me rregullime në frymëmarrje dhe zemër”, tha Rexhaj për Express.

Pavarësisht se deri më tani janë identifikuar rreth 194 lojtarë me probleme të tilla shëndetësore, asnjërit prej tyre nuk i është ndaluar futbolli.

“Ne i identifikojmë dhe i udhëzojmë për t’i bërë ekzaminimet tjera te kardiologu. Më pas kardiologu na jep mendim këshillëdhënës për mos t’ia vërtetuar librezën e futbollistit apo për t’ia vërtetuar atë. Më pas, kur i vërtetojmë librezat, ne i njoftojmë trajnerët me gjendjen e lojtarëve të tij dhe e këshillojmë se sa mund ta ngarkojë maksimalisht lojtarin, te i cili kemi identifikuar çrregullime”, u shpreh Rexhaj.

Në anën tjetër, edhe pse deri më tani asnjërit nuk i është ndaluar futbolli, doktor Agron Rexhepi konsideron se numri prej rreth 194 lojtarëve me rregullime të ndryshme kardiake është goxha i madh dhe shqetësues.

“Më shqetësues është fakti se shumë nga ata lojtarë janë të gjeneratave goxha të reja dhe çrregullimet te ata janë identifikuar kur zemrat e tyre ende janë në fazë të formimit e sipër. Ata nuk duhen ngarkuar shumë nga trajnerët e tyre dhe duhet t’i respektojnë sugjerimet e mjekëve se sa maksimalisht mund ta ngarkojë një lojtar të atillë”, tha Rexhepi.

Por, si shfaqen problemet e tilla shëndetësore te futbollistët? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Rexhepi, i cili thekson se përdorimi i mjeteve të ndaluara stimulative nga ana e lojtarëve është njëri prej faktorëve kryesor.

“Futbollistët defektet e atilla mund t’i kenë të lindura, por edhe të fituara. Në njëfarë mënyre sporti është ‘thikë me dy tehe’. Nëse me sport merresh tamam si sportist, mund të gëzosh edhe shëndet të mirë. Por, nëse merresh me sport edhe për përfitime tjera, atëherë mund të dëmtojë. Përdorimi i mjeteve dopinguese ndikon shumë në përkeqësimin e shëndetit të sportistit”, nënvizoi pos tjerash Rexhepi.

Duhet kujtuar se Kosova para pak vitesh e ka humbur ish mesfushorin e disa skuadrave të huaja, Besian Idrizajn, i cili pati ndërruar jetë në banesën e tij në Austri, pas një sulmi që e pati pësuar në zemër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›