E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA me standard të dyfishtë

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka përfunduar mbledhjen dyditore, derisa në raportin e tij askund nuk përmendet nëse është diskutuar për Kosovën. Por, organi më i lartë i futbollit evropian i ka hapur rrugën Gjibraltarit për anëtarësim në vitin 2013, edhe pse ky vend, sikurse Kosova, nuk është pjesë e OKB’së. Krerët e futbollit kosovar akuzojnë këtë organizatë se po i diskriminon.

Të mërkurën ka përfunduar mbledhja dyditore e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e mbajtur në Stamboll të Turqisë.

Mirëpo, në raportet e publikuara në ueb faqen zyrtare të UEFA-s askund nuk potencohet nëse nga ky takim kanë nxjerrë apo jo një rekomandim për FIFA-n që ta aprovojë apo ta refuzojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.

Por, në raportin e publikuar në uefa.com thuhet se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i ka hapur rrugën Gjibraltarit për anëtarësim në këtë organ në vitin 2013, edhe pse ky vend, sikurse Kosova, nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara - OKB.

Megjithatë, krerët e FFK-së besojnë se evropianët kanë folur për Kosovën, por nuk mund të thonë nëse e kanë nxjerrë apo jo rekomandimin për FIFA-n se si t’i përgjigjet kërkesës së shtëpisë së futbollit kosovar.

“Nuk kemi marrë asgjë zyrtare. Por, ne jemi të bindur se është diskutuar për Kosovën, por nuk presim ndonjë fryt sepse UEFA vazhdimisht po na diskriminon, po i shkel parimet e veta duke na diskriminuar për t’ia bërë qejfin dikujt tjetër. UEFA nuk ka vullnet për ta zgjidhë çështjen tonë”, tha për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Në fakt, një rekomandim për kërkesën e kosovarëve UEFA ishte paraparë t’ia jepte FIFA-s para disa muajve, por nuk e pati bërë një gjë të tillë me arsyetimin se kishte kërkuar një mendim këshillëdhënës nga Zyra Ligjore e saj, e më pas për ta nxjerrë sugjerimin në Stamboll.

UEFA prej kohësh është duke e zvarritur këtë çështje, e cila tashmë i ka nervozuar shumë udhëheqësit e futbollit kosovar. E për këtë zvarritje të tepruar, ata fajin kryesor ia hedhin presidentit të UEFA-s, Michael Platini.

Andaj, FFK-ja shumë seriozisht tashmë është duke e shqyrtuar mundësinë që të drejtën e saj, të cilën po ia shkelin këto dy organizata, ta kërkojë nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›