E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës përcakton vendet e punës për studentët

Punësimi sezonal, kriteret për të aplikuar me sukses

Emanuela Sako

Rreth 50 studentë do të punësohen pranë Bashkisë së Tiranës gjatë sezonit veror. Të rinjve iu është dhënë një mundësi punësimi në administratë për t’u njohur me punën që bëhet në institucionet shtetëror. Kështu, studentë të të gjitha degëve, do të punësohen në çdo sektor sipas arsimit përkatës. Bashkia e Tiranës iu ofron mundësinë të njihen me administratën lokale e me proceset vendimmarrëse, të vënë në praktikë dijet e marra në teori, të identifikohen si potencialë të mundshëm e pas përfundimit të studimeve të mund të integrohen në strukturat e administratës lokale. Regjistrimet e aplikatëve vazhdojnë deri në 15 korrik, ndërsa punësimi i tyre zgjat deri në tre muaj. Por, një pjesë e studentëve që do të përshtaten me punën dhe do tregojnë vlera, atyre do t’iu ofrohet një vend pune në sektorin përkatës të Bashkisë.
Punësimi
Studentët do të angazhohen sipas arsimit që ndjekin në drejtoritë përkatëse të bashkisë dhe përkatësisht në Drejtoritë e Urbanistikës, Drejtorinë e Planifikimit Strategjik, Drejtorinë Juridike, Drejtorinë e Pastrimit, Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimeve Sociale, Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik etj. Të gjithë studentët do të vlerësohen për punën e kryer, me anë të Formularëve të Vlerësimit Mentorial dhe Përfundimtar. Përveç eksperiencës së ofruar nga një staf profesionistësh në fund të punësimit studentët do të pajisen me Certifikatën e pjesëmarrjes. Megjithëse, studentët do të punojnë në administratë pa asnjë pagesë mujore.
Projekti
Në kuadër të këtij projekti çdo vit në muajin qershor realizohet njoftimi i studentëve të Tiranës nëpërmjet shpërndarjes së kërkesave për aplikim për këtë program, në Universitete të ndryshme të Tiranës, në faqen e internetit të Bashkisë dhe në media. Në bazë të kritereve të përcaktuara përzgjidhen studentë nga fakultete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Studentët do të angazhohen sipas arsimit që ndjekin pranë drejtorive të Bashkisë. Ata gjatë angazhimit të tyre përcjellin ide dhe kontribute të vlefshme në drejtoritë ku do të kryejnë praktikën.
Projekti i Punësimit Veror Sezonal në Bashkinë e Tiranës implementohet për të pestin vit radhazi në Bashkinë e Tiranës. Ky projekt vjen në vazhdën e projekteve që Bashkia e Tiranës po ndërmerr në kuadër të përmirësimit të shërbimeve cilësore për të rinjtë. Gjatë pesë viteve në Bashkinë e Tiranës janë punësuar me kohë të pjesshme, për një periudhë 3 mujore, rreth 200 të rinj.

Formulari
Formulari që duhet të plotësojnë studentët do të përmbajë të gjitha të dhënat për secilin prej tyre. Studentët duhet ta plotësojnë me qartësi formularin, me emrin, mbiemrin, ditëlindjen, vendlindjen, universitetin, degën, mesataren e lëndëve etj. Njëkohësisht, ata duhet të argumentojnë se si e vlerësojnë këtë projekt të nisur nga Bashkia e Tiranës. Bashkëngjitur me kërkesën studentët duhet të dorëzojnë CV-në, listë notash, vërtetim nga fakulteti ku studion, një rekomandim nga një pedagog i degës, një esse me temë “Ja pse duhet të marr pjesë në këtë projekt”.

Ministria e Shëndetësisë, Konferencë për sistemin shëndetësor në Estoni

Organizata Botërore e Shëndetësisë organizoi në datat 25-27, Konferencën Ministeriale Europiane mbi “Sistemet Shëndetësore”, në Talinë, Estoni. Në këtë Konferencë merrnin pjesë përfaqësues të 53 vendeve të rajonit europian. Në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet ndërmjet sistemeve shëndetësore, shëndetit dhe prosperitetit. Konferenca synonte nxitjen e Ministrave të Shëndetësisë dhe të qeverive ku bëjnë pjesë drejt një kuptimi më të mirë të ndikimit të sistemeve shëndetësore mbi shëndetin e popullatës dhe mbi zhvillimin ekonomik. Po kështu, ësht dikutuar për përdorimin e të dhënave mbi strategjitë efektive për të përmirësuar perfomancën e sistemeve shëndetësore për të siguruar qëndrueshmëri të financimit dhe respektim të parimit të solidaritetit. Ngjarja kryesore e konferencës ishte nënshkrimi i Kartës “Sistemet shëndetësore, shëndeti dhe prosperiteti”. Qëllimi kryesor i kësaj Karte është marrja e konsensusit dhe nënshkrimi nga 53 vendet anëtare të OBSH-së, i një dokumenti që ofron kuadrin strategjik dhe drejtimet kryesore për forcimin e sistemeve shëndetësore në të gjitha vendet e këtij rajoni. Në të njëjtën kohë kjo kartë shpreh angazhimin politik dhe për veprim të Ministrave të Shëndetësisë dhe Qeverive përkatëse duke marrë parasysh sistemet shëndetësore dhe kontekstet politike të ndryshme të pranishme në rajon.

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›