Zgjerimi i rrugës, paditet Bollano
Një banor i Himarës padit në prokurori kryetarin e bashkisë, Vasil Bollano. Kosta Andruco ka akuzuar kreun Bollano se me firmën e tij ka bërë të mundur të devijohet projekti i rrugës për në plazhin e Potamit, për të favorizuar persona të tjerë. Në padinë e depozituar në organin e akuzës së Vlorës, thuhet se "Projekti i miratuar për zgjerimin e rrugës, është devijuar nga kryetari i bashkisë për të favorizuar shtetasin Mihal Brigo, që ka ndërtuar një magazinë pa leje, në të cilën zhvillon aktivitet tregtar. Kjo magazinë është ndërtuar pjesërisht mbi rrugën ekzistuese dhe në pjesën ku është ndërtuar ajo është projektuar zgjerimi i rrugës". Më tej ai akuzon Bollanon se ka kërkuar ndërhyrjen e dhunshme të forcave të rendit ndaj familjes së tij. Kosta Andruco është një nga katër banorët e Himarës që u shoqëruan të enjten në komisariat, pasi kundërshtuan vijimin e punimeve për ndërtimin e rrugës nacionale Dhërmi-Sarandë.