E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku për një Shqipëri apolitike

Besnik Mustafaj 

Afro njëmbëdhjetë javë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, qeveria e re u paraqit bashkë me programin e saj në Parlament dhe u votua hareshëm. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Zëri i vetmuar i Vangjel Dules nuk mund të mjaftonte as edhe sa për të lënë përshtypjen se jetojmë në një shoqëri pluraliste. Gjatë gjithë kësaj periudhe, e që nuk është fort e shkurtër, i bie afro pesë për qind e mandatit të porsafilluar, Shqipëria jonë e dashur është gjendur de facto pa opozitë politike. Nuk po them vetëm pa opozitë parlamentare, duke e lidhur këtë fakt me bojkotin e Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. Në Tiranë, o shokë, nuk ka opozitë as brenda e as jashtë Parlamentit, nuk ekziston fare ajo që në demokraci quhet me termin opozita politike. Kaq e madhe është kjo mungesë e alternativës kritike të qeverisjes, sa ka filluar ta ndjejë nevojën e saj edhe vetë Berisha. E keni vënë re? Në konferencat e shtypit apo në bisedat e ëmbla televizive  me Blendi Fevziun ai detyrohet herë pas here ta thyejë monologun: “Do më pyesni ju mua…”. Dhe shton, pak me qesëndi, siç e ka  zakon ai, një pyetje që do të duhej t’i kishte ardhur në të vërtetë publikisht apo institucionalisht nga opozita Nuk ka ndodhur tek ne ajo që në vende të ndryshme me demokraci të brishtë ka ndodhur më shumë se një herë, kur opozita, me bindjen se zgjedhjet janë dhunuar, ka kyçur gojën demonstrativisht, për t’i dhënë edhe heshtjes peshën e një proteste të thellë. Jo. Të gjithë shqiptarët, i madh e i vogël, burra e gra, në qytet a në fshat, në atdhe a në mërgim, e dinë se Edi Rama ka sherr të madh e të hapur me Ben Blushin. Ndahet pastaj më dysh krejt udhëheqja socialiste. Një pjesë me Edin, një pjesë me Benin. I kemi kështu të gjithë socialistët e shquar, herë njërën palë, herë palën tjetër, ditë për ditë nëpër televizione, radio e gazeta. Po çfarë thonë?
Kastriot Islami, me zellin dhe durimin që ia njeh Shqipëria mbarë, ka marrë përsipër të na bindë me shkrim, duke na dhënë një lumë të pashtershëm argumentesh logjike, politike e madje edhe matematikore, se Partia Socialiste dhe koalicioni i saj i kanë humbur zgjedhjet. Po kjo dihet tashmë, o Kaç, pse vazhdon të  lodhesh kaq shumë pa nevojë? Kaçi nuk dëgjon, ndjek mendjen e vet sepse është, mbi të gjitha mesa duket, i merakosur t’i sqarojë shqiptarët edhe se kjo humbje socialistëve nuk u ka ardhur për shkak të ligjit elektoral, për të cilin duan të thonë se është vepra e tij. Nuk është vështirë të besohet se ai po mendon tashmë për zgjedhjet e vitit 2013, kur një faj i tillë mund ta lërë jashtë listës së deputetëve. Dhe gjykon se është mirë të pastrohet në kohë. Për të na bindur se Partia Socialiste i humbi zgjedhjet, janë mobilizuar fort përveç Ben Blushit e Arben Malajt edhe Ylli Bufi, Musa Ulqini e mjaft të tjerë me emër kush më të madh e kush më të vogël në formacionet politike të majta. U kthehen mandej atyre Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, Namik Dokle dhe ajo tufa entuziaste e deputetëve të rinj socialistë, të cilët me fjalë nuk besojnë se Partia Socialiste ka humbur dhe kërkojnë duke përplasur këmbët të zhvarrosen kutitë e votave. Të parët i thonë Edi Ramës: Ik! Të dytët e zënë për mënge: Rri! Vetë kryetari e merr natyrisht dendur e më dendur fjalën në bahçen e tij për të bindur (të vetët) se Sali Berisha i ka vjedhur votat. Nuk është nga ata burra që i nënshtrohet fatit ai.
Ky është spektakli aspak argëtues që po na japin socialistët gjithë kësaj vere e këtë fillim vjeshte. Fjala është për ata që do të duhej të ishin lokomotiva e opozitës politike në Shqipëri.
Të gjithë këta miq që përmenda kanë qenë më së paku ministra. Por ka midis tyre edhe ish-kryeministra, ish-kryetarë të Kuvendit, ish-nënkryeministra etj., çka parakupton një përvojë shumë të madhe si burra shteti e që do të duhej të përbënte një kapital politik të jashtëzakonshëm për vendin, të cilin faktikisht në këto përmasa nuk e ka asnjë parti tjetër në Shqipëri. Le të ndalemi tek rasti i Kastriot Islamit, thjesht meqë e sollëm të parin si shembull. Është ndër të paktët deputetë të sotëm, që ka zënë vend në Kuvend qysh në zgjedhjet e para pluraliste të Shqipërisë. Ka qenë ministër arsimi, ministër shteti, ministër financash, ministër i jashtëm si dhe kryetar i Kuvendit. Tani është në opozitë, siç na e thotë me bindje të plotë edhe vetë. Në çdo vend tjetër të lirë, një burrë me një përvojë të tillë si shtetar do të zinte paraskenën e politikës si një i urtë (jo plak) për të bërë kriticizmin e politikës qeverisëse, duke ofruar alternativën e partisë së vet. Këtë pret shoqëria shqiptare nga opozita e zgjedhur demokratikisht, pikërisht kjo nuk po bëhet fare.
Lufta brenda partive, duam s’duam ne, është një fenomen i pashmangshëm në shoqërinë pluraliste. Por, në një parti normale, me politikanë të përgjegjshëm, ajo zhvillohet brenda partisë në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale, pa u kthyer në bezdi mediatike për opinionin publik dhe sidomos, pa i marrë kësaj partie vëmendjen dhe as energjitë që ajo është e destinuar t’ia kushtojë problematikës së mbarë shoqërisë. Ben Blushin, bie fjala, e kemi çdo natë nëpër televizione, duke na përsëritur ankesën e vet pse nuk po ikën Edi Rama nga kreu i partisë. Blushi sigurisht që e ka mësuar gjithë këto vite që një politikan i drejtohet opinionit publik me qëllimin e vetëm për të fituar mbështetjen e tij sa më të gjerë ndaj veprimit të vet politik. Në rastin konkret ky veprim do të duhej të ishte arritja nga ai vetë, domethënë nga Blushi, e kreut të Partisë Socialiste. Ndërkohë, ai ka deklaruar publikisht se nuk është kandidat për një funksion të tillë. Pra, nuk ka ndonjë veprim politik të ndërmarrë nga Blushi, për të cilin nevojitet ndonjë mbështetje e opinionit publik. Ai thjesht po ushtron oratorinë dhe po kënaqet duke parë vetveten në televizor me ngjyra. Por edhe sikur të kishte një veprim politik të ndërmarrë nga Blushi në rrethanat për të cilat po flasim, nuk ka vend që ai t’i drejtohet mbarë opinionit publik. Kryetarin e Partisë Socialiste e zgjedh vetëm anëtarësia socialiste. Rrjedhimisht, Blushi apo të tjerët si ai, duhet të shkojnë vetëm në forumet e tribunat e përcaktuara, larg kureshtarëve të padobishëm, ku të bashkëbisedojnë qetësisht e shtruar vetëm me këtë anëtarësi dhe të mos na e lodhë kokën ne të tjerëve, që nuk kemi asnjë lidhje strukturore me partinë e tij, që do të thotë se as nuk e ndihmojmë dot e as nuk e dëmtojmë dot.
Edhe më tej: ka dalë tani së fundi në shesh kjo lëvizja e një grupi socialistësh, shumica të zgjedhur deputetë tashmë, për mendimin ndryshe. Shkenca e politikës e ka mësim elementar përcaktimin se një parti mbështetet mbi tri kolona: analizë-vendim-veprim. Ta zëmë se këta bëkan një farë analize. Por për çfarë vlen ajo pako analizë, në qoftë se nuk pasohet nga vendimi politik e mandej nga veprimi politik, rezultate këto që arrihen vetëm në forumet e mandatuara të partisë së tyre? Thjesht për asgjë, përpos vetëkënaqjes që marrin ata duke përgëzuar shoku-shokun me sms apo në facebook.
Akoma më e varfër dhe sidomos e pashpresë paraqitet gjendja  në anën tjetër, andej nga shfryn e turfullon Edi Rama me klanin e vet. Zyrtarisht ai është tashmë në fushatë për ripërtëritjen e mandatit si kryetar i Partisë Socialiste. Një fushatë karikaturale. As më shumë e as më pak. I ka lënë fare punët e bashkisë, ka harruar fare se është zgjedhur për të qeverisur kryeqytetin, por kjo është çështje më vete. Vetëm shpresoj se qytetarët e Tiranës do ia kujtojnë mirë pas një viti a diçka më shumë, në qoftë se ai do u kërkojë përsëri votën. Tani e shohim të mblidhet fshat më fshat e qytet më qytet me grupe socialistësh, ca burra e ca gra që rrinë të trishtuar para kamerave, të cilëve u shpjegon nga e para e me ca fjalë të thjeshta thua se ata vijnë nga një botë tjetër, se Sali Berisha u ka vjedhur votat më 28 qershor. U jep edhe një mësim po kaq të thjeshtëzuar për shenjtërinë e lirisë në demokraci. Po më? Kaq ua ka thënë e stërthënë edhe nëpërmjet televizionit. A nuk e ka shpallur ai se po shkon drejt tyre kësaj here për t’u kërkuar votën si anëtarë të partisë, pra, socialistët nuk janë më përballë Berishës dhe Ilir Metës, por përballë atij vetë e Maqo Lakrorit? Ai mirëfilli e shpërfill, e përçmon anëtarësinë e partisë së vet, kur nuk merr as mundimin më të vogël për të bërë sado pak analizë politike për dobësitë apo edhe për meritat që tregoi gjatë katër vjetëve, që i drejtoi. Asnjë alternativë të re pse duhet ta zgjedhin ata edhe një herë në krye të tyre. Asgjë prej gjëje, që do të meritonte qoftë edhe një fije vëmendje.
E gjithë kjo që bëjnë socialistët tanë nuk është politikë. Të paktën jo në kuptimin që ka kjo fjalë qysh nga Platoni. Dëgjoj shumë veta të shprehen me shpërfillje: vetes po ia bëjnë. Dhe është e vërtetë. Por mua nuk më shqetëson fare çështja se ç’të keqe i bëjnë socialistët vetes. Mua më shqetëson se ç’të keqe po i bëjnë ata demokracisë shqiptare. Për herë të parë në këto 18 vjet, u paraqit programi i një qeverie të re dhe nuk doli opozita ta shqyrtonte këtë program në skanerin e saj. Është detyrë jo vetëm morale, jo vetëm detyrë politike imediate, por edhe detyrë historike që kryetari i opozitës të qëndrojë përballë kryetarit të qeverisë në këtë rast më shumë se në çdo rast tjetër për katër vjetët që kemi përpara, për të ndriçuar me dritën e vet rrugën, nëpër të cilën do e shtyjë vendin mazhoranca e sotme legjitime. Edhe në Londër, ku sundon demokracia më e vjetër e Europës moderne, po të gjendet pa opozitë, qeveria është e rrezikuar nga gabimet dhe deformimet. Kjo është aksiomë e politikës. Ndërsa Edi Rama, pikërisht ditën e paraqitjes së programit të qeverisë, e gjykoi më të dobishme të gjendej në Kukës, në përpjekje për t’i marrë terrenin Maqo Lakrorit.
Dhe vjen puna që gjithë pesha e opozitës së vendit i bie mbi shpatulla Erion Braçes. Ai po, i shkreti, mundohet, por nuk i ka grat fjala. Si qe, si s’qe! Por të paktën një gjë mund të thuhet për të. Ai është i vetmi në oborrin socialist që e përligj rrogën që merr nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Të tjerët e kanë harruar fare që u është dhënë një mision: të jenë opozitarë. Vetë e kanë thënë e përsëritur këto ditë disa prej tyre se gjatë katër vjetëve të shkuara nuk ditën të bëjnë opozitë. Atëherë, pra, punuan keq politikisht. Dhe humbëm zgjedhjet. E meritonin. Tani nuk po punojnë fare si opozitarë. Çfarë do të fitojnë? Ndërkohë, ne të tjerët nuk duam të jetojmë në një shoqëri apolitike. Sepse apolitike do të katandiset Shqipëria, në qoftë se Sali Berisha do të vazhdojë të detyrohet ta ndërpresë Fevziun apo ndonjë koleg tjetër të Fevziut për të shtuar: “Do më pyesni ju mua…”.   
besnikmustafaj@afalc.org

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›