Blushi: PS, sa më shpejt në Parlament
BLEDAR HOTI
Pesë deputetët socialistë pjesëtarë të Lëvizjes për Mendim Ndryshe i bëjmë thirrje grupit të PS-së të ndërpresin bojkotin e Parlament në një kohë sa më të shpejtë. Ben Blushi, Kastriot Islami, Arben Malaj, Marko Bello dhe Andis Harasani dolën dje me anë të një deklarate të përbashkët në të cilën i kërkojnë PS-së që të reflektojë mbi situatën, duke u përshtatur dhe me kërkesat e ndërkombëtarëve. “Ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS-së të lexojnë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend. Së dyti, të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e Parlamentit, duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e pesë deputetëve. Deputeti i PS-së, Ben Blushi tha se një vendim i tillë për bojkot është personal i kreut të PS-së, jo nga forumet e socialistëve. “Ne po kundërshtojmë një vendim personal të Edi Ramës dhe Edi Rama e Partia Socialiste nuk është e njëjta gjë, janë dy gjëra të ndryshme. Ne kemi dalë për të folur për interesa të PS dhe të Shqipërisë, se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën në Parlament. Në qoftë se ka sot vetëm një faktor politik në Shqipëri që ka interes për këtë bojkot kjo është qeveria, sepse besoj se bini dakord me ne që qeveria ka një moment luksi në momentin që nuk ka opozitën përballë. PS nuk është në Parlament, po është duke bredhur nga një katund në tjetrin duke intimiduar anëtarët e PS-së, të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem në të cilën jemi”, tha Blushi. Deputeti socialist në lidhje me deklaratat e Ramës nga Vlora për vetëpërjashtim u shpreh se qëndrime të tilla nuk na bëjnë përshtypje. “Mendime për zëra përjashtuese? Ju e kuptoni se kjo nuk na bën përshtypje se nëse do na bënte përshtypje nuk do flisnim sot, pra ne do themi atë që mendojmë pavarësisht nga kostot tona, sepse besojmë se kostot e PS janë më të rënda se kostot tona apo të Ramës”, theksoi Blushi. Ndërsa ka bërë të ditur se nuk janë vetëm këto pesë deputetë që kanë mendime ndryshe që kërkojnë ndalimin e bojkotit të Kuvendit. “Ka dhe shumë deputetë të heshtur të PS, që nuk janë dakord me qëndrimin zyrtar ose personal më saktë të Ramës. Këtu nuk bëhet fjala për një qëndrim të PS-së, por të Edi Ramës, i cili ka ngritur një alibi për të mos pranuar humbjen e zgjedhjeve, edhe për shkak të tij, ka ngritur një alibi për të rikandiduar duke thyer statutin e PS dhe ne po kundërshtojmë vendimin personal ndaj e theksoj se nuk jemi vetëm ne, por ka shumë deputetë të PS. Do kërkojmë me çdo mënyrë që PS të kthehet në Parlament”, theksoi Blushi.
Malaj
“Lidershipi i PS e njeh këtë qëndrimin tonë publik, madje ka ardhur deri aty sa nga Peza apo nga Vlora, grupi i kolegëve deputetë që merr këtë përgjegjësi për të ndihmuar, që PS të ndiejë përgjegjësinë si forca më e madhe opozitare, kërcënohet nga qyteti i Vlorës deri me vetëpërjashtim. Shqetësimi që PS po shkon në radikalizim të saj, që PS humbi avantazhin si forca më demokratike dhe më moderne, ku kohezioni apo solidariteti keqpërdoret për gara apo ambicie individuale nuk është vetëm personal dhe i një grupi të vogël njerëzish”.
Rama
Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama ka qenë i pari që ka artikuluar fjalën vetëpërjashtim në rast se do të ketë tentativa nga ana e deputetëve të partisë së tij për thyer vendimin e grupit, duke u futur në Parlament. Këtë qëndrim Rama e mbajti në momentin kur po paraqiste platformën e tij në qytetin e Vlorës. Kreu i Partisë Socialiste në detyrë ka qenë kategorik kundër hyrjes në Kuvend, pa plotësuar më parë kushtet nga ana e qeverisë për hapjen e kutive të 28 qershorit dhe miratimin e një ligji të veçantë.