Rama: Gjyqësori, strehë horrash
Gjirokastër/Pirro Nase
Kryetari në detyrë i PS-së Edi Rama, ka sulmuar ashpër gjyqësorin, duke e quajtur atë të paaftë dhe të pafuqishëm përballë presioneve të ushtruar nga qeveria. Sulmi ndaj sistemit gjyqësor pati për justifikim dhënien e vendimeve nga Kolegji Zgjedhor në dëm të PS ndaj ankimimeve të depozituara në të nga partia më e madhe opozitare. “E drejta e hapjes së kutive të votimit është mohuar me dhunë, me dhunën e kartonave në KQZ dhe me dhunën e ushtruar dhe mes presionit mbi një pushtet gjyqësor, i cili po shpërbëhet tërësisht, mbi një pushtet gjyqësor, i cili nuk ka kurajon të shohë në sy ata që vranë 26 njerëz dhe i cili nuk ka këllqe të japë asnjë vendim që prek interesa të paligjshme, asnjë vendim që prek njerëz të veshur me imunitetin e pushtetit në mos vetëm me imunitetin e deputetit, me një pushtet gjyqësor që ka trimërinë të shohë në sy vetëm qytetarët që nuk kanë miq, që nuk kanë para, që nuk kanë mundësi të influencojnë gjyqin dhe që duke i parë në sy iu mohon të drejtën sy më sy, me një pushtet gjyqësor, i cili po bëhet dita ditës streha ku gjejnë pafajësinë gjithfarë lloj kriminelësh, gjithfarë lloj horrash, gjithfarë lloj hajdutësh dhe kusarësh”, deklaroi Rama me një ton të lartë në sallën e kinemasë në Gjirokastër. Në turin e takimeve me bazën socialiste në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit merrnin pjesë dhe deputetët socialistë të zonës Arta Dade, Et’hem Ruka dhe Vangjel Tavo si dhe deputeti i Tiranës Besnik Bare.
Zgjedhjet
Kryetari në detyrë i PS-së, Rama ka pohuar se fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit iu mohua socialistëve nga fuqia abuzive e shtetit, e cila u vendos tërësisht në dispozicion të pushtetit duke u kthyer në një makineri elektorale që shkel çdo ligj, që shkel çdo parim demokratik të një gare, e cila u kthye nga një garë zgjedhore mes alternativash të ndryshme në një betejë mes opozitës dhe shteti të bërë njësh me pushtetin. “Ligji zgjedhor nuk thotë se në rast se kështu apo ashtu hapen kutitë e votimit, ligji zgjedhor thotë kur e kërkojnë dy anëtarë të KQZ kutitë e votimit hapen dhe mos hapja e kutive të votimit, duke refuzuar kërkesën e palës sonë për të bërë transparencë mbi dhjetëra e dhjetëra kuti të dyshuara si dhe duke imponuar të tëra kutitë përmes një Kolegji Zgjedhor të gjunjëzuar përpara presionit të pushtetit përbëjnë një arsye madhore që ne sot të refuzojmë rezultatin, që ne sot të refuzojmë legjitimimin e Parlamentit, që ne sot të refuzojmë të drejtën e pakushtëzuar, të drejtën e Parlamentit dhe Qeverisë për të udhëhequr dhe diktuar mbi fatet e vendit për katër vitet e ardhshme”, tha kryesocialisti. Sipas Ramës, ky Kuvend nuk mund të ketë prej nesh kontributin për t’u legalizuar një herë e mirë si Kuvendi, i cili ka dalë nga zgjedhje të pranueshme, ne nuk i pranohen zgjedhjet e 28 qershorit si zgjedhje që mund të përcaktojnë fatet e vendit për katër vjet. Ai shtoi se “në rast se raporti i arbitrit ndërkombëtar thotë se 1/3 e numërimit është bërë keq dhe shumë keq dhe 30 % e votave janë numëruar keq dhe shumë keq unë nuk shoh se çfarë duhet të bëjmë dhe të kërkojmë tjetër për të ngritur zërin në kupë të qiellit se ne duam hapjen e të gjitha kutive duke filluar nga të gjitha kutitë për numërimin e bërë keq dhe shumë keq, për t’i dhënë fund njëherë e mirë traditës së shumtë të abuzimeve dhe spekulimeve me kutitë e votimit”. “Ne e dimë shumë mirë që demokracia e gjen mishërimin e saj më të përsosur në jetën parlamentare, por ama në një parlament që buron nga liria e të gjithëve për të zgjedhur të pakërcënuar se do të humbasin lirinë po zgjodhën ndryshe nga çmendon pushteti dhe që buron nga ndershmëria në numërimin e të gjitha votave prej ku do të dali rezultati i zgjedhjeve të popullit, kjo është demokracia dhe në rast se demokracia është prekur pikërisht në funksionet e saj jetike që janë liria dhe ndershmëria e zgjedhjeve, në rast se ne nuk punojmë që këto funksione jetike të bëhen të paprekshme atëherë i kemi hapur rrugë prekjes së çdo lirie dhe të çdo të drejte të secilit në këtë vend që nuk do të jetë pjesë e oborrit të shërbëtorëve të pushtetit, të secilit në këtë vend që do të jetojë me idetë e tij dhe do që të fitojnë përmes punës së tij të ndershme”, theksoi Rama. Ndërsa kandidati tjetër Maqo Lakrori në diskutimin e tij u përqendrua në bashkimin e së majtës, si dhe në zhvillimin e një referendumi për ndryshimin e Kushtetutës. Lakrori gjithashtu theksoi se: “Bashkimi i së majtës do t’i japë efektet e veta në zgjedhjet e pritshme lokale”. “Synoj që të kemi një program qartësisht majtas, pasi populli jonë është i pozicionuar majtas”, tha Lakrori.