Frederik Ndoci - Tani bashkëjetoj me Alisën
“Bashkëshorten nëse s’e njeh shpjere larg ku nuk e njohin, ajo me siguri do shpërfaqet në vërtetësinë e saj”. Një aforizëm mund të dalë nga shpirti, ashtu siç i ka ndodhur Frederik Ndocit, të cilit iu desh ta çonte ish-bashkëshorten e parë deri në Amerikë për ta njohur. E tani nuk ka ç’të tregojë më parë. I lumtur që ka arritur t’i kapë të tre brezat në muzikë, ka një memorie që nuk ka sesi të mos i sjellë trishtim. Dhe jo sepse është artist, por sepse në jetën e tij ka provuar histori ndryshe, me tradhti të çuditshme nga dy ish-gratë e tij, e para që e la për një femër dhe e dyta për një ‘ish’. Këngëtari Frederik Ndoci tregon në këtë intervistë jetën e tij private gjatë regjimit, pas viteve 90-të në Itali e deri në Amerikë.
Pyetja e parë për një artist mund të ishte, si ndihesh?
Hm...Ndihem mirë.
Kujtojmë që u bëre i njohur në vitet ‘80-të, kur nise karrierën si artist, por dhe jetën si bashkëshort në moshë shumë të re. Si i sjell në mendje ato vite?
Po ekzaktësisht ishte viti 1981, dhe isha student drame në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Isha përzgjedhur për filmin “Në çdo stinë”, pasi kisha fituar një kinoprovë nga regjisori Viktor Gjika. Në atë kohë studioja për dramë ndërkohë që isha dhe një nga këngëtarët e grupit “Na bashkoi kënga popullore”, shumë i njohur në atë kohë pasi u binim veglave muzikore dhe këndonim po vetë.
Në shesh xhirimin që po flas mbaj mend që ishin edhe 4-5 vajza të përzgjedhura si figurante nga shkolla “Ismail Qemali”, mes të cilave ishte dhe njëra shumë indiferente. I kërkova numrin e telefonit dhe ajo në mënyrë shumë të shkujdesur ma dha pa më parë fare në sy. Ditën tjetër e telefonova dhe i propozova të dilnim, ajo kishte një biçikletë dhe dolëm bashkë nga kodrat e Liqenit. Mbaj mend që thjesht folëm, pasi ajo ishte një vajzë shumë serioze dhe s’bëhej fjalë të lejonte ta prekje apo ta tejkaloje pak....
Je duke folur për njohjen me ish-bashkëshorten e parë?
Po, jam duke folur për ish-gruan time të parë me të cilën e lidha jetën shumë i ri, dhe sollëm në jetë dy vajzat tona. Në fakt vetëm pas një viti që qëndruam bashkë e kuptova që s’kisha askund përputhje me të, duke filluar që nga shijet për leximin. Unë në atë kohë lexoja libra të ndaluar nga regjimi, si; Niçe, Frojd, ndërsa ajo gjithë librat e sistemit.
Si vazhdoi njohja?
Pasi dolëm bashkë siç të thashë një herë të vetme, kjo gjë u shkon në vesh familjarëve të saj. Prindërit interesohen se kush isha unë. Pas kësaj ata u ankuan në Komitet të Partisë, Opera, dhe Institutin e Lartë të Arteve, ku ishte dërguar dhe një letër anonime me firmën e Dëshirës, (ish-gruas sime). Më thirrën në hetuesi, më rrahën dhe me nxorën si përfundim armik të popullit dhe natyrisht u ndava nga Dëshira. Si pasojë ngela një vit në Institut dhe përfundova një vit e gjysmë më vonë shkollën. Pasojat diheshin. Më dërguan në Macukull të Matit dhe pas asaj në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku u vlerësova edhe nga gazetat e asaj kohe si një nga aktorët më të mirë. Pikërisht në këtë kohë më telefonon Dëshira duke më kërkuar që të shkoja të merrja në shtëpinë e saj dy valixhe me rroba të miat. Me tha që i vinte keq për çfarë kishte ndodhur. Shkova e takova në Tiranë dhe t’i thosha që letra anonime ishte shkuar me emrin tim. Ajo u çudit duke mos e pranuar që kishte qenë ajo autorja e letrës. Më vonë doli që atë gjë e kishte bërë vëllai i saj, dhe jo ajo. Ishte ende në shkollë, më erdhi keq, dhe i kërkova të vinte me mua në shtëpinë time në Shkodër, dhe kështu vendosëm të martoheshim. Kështu ajo u detyrua të linte përgjysmë studimet për Inxhinieri Mekanike. Bëhet fjalë për vitin 1984 kur lindi Flodia, vajza jonë e madhe. Në ‘90-ën lind vajza e dytë Klea. Pas kësaj ne marrin fëmijët dhe nisemi Itali, ku tërhoqa më vonë dhe gjithë familjen time. Kaluam periudha të vështira në Itali, dhe më fund unë nisem në Amerikë, në Kalifornia ku do punoja për CD-në time. Katër muaj më vonë vjen ish-bashkëshortja me dy vajzat.
Dhe deri këtu marrëdhënia juaj në çift ishte normale?
Po normale. Në fakt e vetmja gjë që nuk më shkonte në mendje ishte tradhtia nga ana e saj. Dukej shumë indiferente dhe në Amerikë shoqërohej vetëm me femra. Më ra në sy miqësia e tepruar më një amerikane, e cila dhe ajo ishte e martuar më një prift. Derisa një ditë i gjeta të dyja duke u puthur, gjë që e detyroi të më pranonte vetë që ishte lezbike. Dhe kështu në vitin ‘96-‘97 martesa degjeneroi fare. Por nuk përfundoi me kaq...
Pse çfarë ndodhi, si u përballe me një të vërtetë të tillë, po ajo si u soll?
E dashura e saj kishte të atin gjykatës në Gjykatën Supreme të Kalifornisë, i cili e ndihmoi të më fuste në telashe vërtet të rënda. Ajo më akuzoi për vrasës, dhe me shumë mundim kam shpëtuar nga burgu atje.
Ndërkohë tani ç’bëhet me të?
Unë di që me amerikanen që folëm nuk janë më bashkë pasi i tha që nuk e donte më dhe ajo u çmend, dhe sot e kësaj dite ndodhet e shtruar në psikiatri. Kjo pasi ishte lidhur me një tjetër femër, të cilës dhe asaj më vonë i tha të njëjtën gjë, pra që nuk e donte më, dhe ajo vrau veten në sy të saj.
Duket si një histori filmi gati e pabesueshme... Po vajzat a e dinë të vërtetë e nënës së tyre dhe ti a komunikon me to?
Vajza e madhe, e cila ka mbaruar studimet për mjekësi dhe ekonomik, ndërkohë është dhe e martuar, ka dijeni. Ndërsa vajza e vogël është zgjedhur si një nga më të 10 të bukurat e Kalifornisë, si dhe këndon në një grup latin, por kam përshtypjen se nuk di ende gjë. Unë flas shpesh me vajzat edhe pse ajo ka bërë shumë për t’i larguar nga unë.
Dhe pastaj në jetën tënde hyn Aida, tashmë publiku e njeh pas konkurrimit në Festivalin Europian...
Po, hyri Aida me të cilën kisha 13 vite diferencë. Atëherë jetoja në pjesën lindore të Amerikës, dhe shumë i dërmuar moralisht nga martesa e parë. Isha 40 vjeç, rashë në rutinë e ndoshta dhe në pesimizëm. Pikërisht në ato kohë njihem me Aidën, në një klub nate ku ajo këndonte. Ishte 27 vjeç, por dukej shumë e vogël. Më tregoi historinë e jetës së, se si kishte qenë e dashuruar në Durrës në moshën 16 vjeçare me një djalë, që nuk ia donte familja, dhe ndaj kishin bërë të pamundurën që ajo të shkonte në Amerikë, për ta larguar nga ai pasi ai bashkëjetonte me dikë tjetër. Për këtë arsye Aida nuk kishte vazhduar dot shkollën e mesme.
Pas një viti njohjeje u fejuam, filluam të bënim plane, dhe punët po na ecnin mirë përveçse nuk po mundim të sillnim në jetë një fëmijë,pasi mjekët na kishim thënë që kishim probleme të dy. Kjo ishte dhe arsyeja pse u kthyem në Tiranë në vitin 2006. Pas dy javësh qëndrimi në Tiranë, ajo ritakohet me ish-të dashurin e saj dhe i rikthehet historisë. Këtë gjë unë e zbulova nga mesazhet që i gjeta në telefon.
Dhe ti e pranove ta kishe në krah duke pasur parasysh që ju konkurruat në Festivalin e fundvitit si burrë e grua apo jo?
Po e vërtetë. 2-3 muaj para pjesëmarrjes në Festivalin e Këngës në RTSH unë i thashë që do hiqemi si burrë e grua. Por edhe pse s’e pranoi që ishte rilidhur me të, me ish-të dashurin e saj më thoshte herë pas here “Më ndihmo të iki nga ky problem”...
Tani nuk jeni më bashkë dhe ajo vazhdon të mbajë mbiemrin Ndoci, pse?
Po, sepse ne nuk jemi ndarë ligjërisht, pasi e tillë është procedura e divorceve në Amerikë. Duhet të shkoj të jetoj një vit atje për t’u ndarë ligjërisht. Megjithatë kemi rënë në kompromis me Aidën që të mbetemi shokë, madje ajo më ka kërkuar ndihmë për CD-në e saj, që do nxjerrë së shpejti.
Gjatë kohës që ishit bashkë si ka qenë lidhja e Aidës me vajzat e tua, ishin takuar ndonjëherë?
Jo asnjëherë. Aida nuk ka dashur kurrë të komunikonte me vajzat e mia.
Nëse do të flisje nga pozitat e një burri të tradhtuar dy herë, e para të la për një femër, e dytë për një ish. Cila tradhti të ka vrarë më shumë?
Do të thosha që e rëndë është që i kam njohur të dyja ato gra.
Dy martesa të çuditshme, po tani a shoqërohesh me dikë?
Po. Unë bashkëjetoj me Alisën. Eshtë një muzikante shumë e zonja, dhe shumë e talentuar. Është 37 vjeç, është simpatike dhe këndojmë bashkë, kudo ku na ftojnë.
Ku u njohët me Alisën?
Alisën e kam njohur para viteve ’90-të. Por u ritakuam 2 vite më parë. Në gusht festuam ritakimin, tani jemi duke jetuar një bashkëjetesë.
Me cilën nga gratë më sipër ke rënë vërtet në dashuri?
Nuk mund të them se kam rënë ndonjëherë në dashuri. Por kam përshtypjen se mbi 35 vjeç njeriu nuk mund të bjerë më në dashuri.
Mes Tiranës dhe Amerikës, në cilin vend ke bërë plane të vërteta për muzikën?
Edhe këtu edhe atje, kam disa projekte artistike të cilat duhet t’i zbatoj.
Ndërkohë pas rikthimit u ritakove me shumë shumë artistë kolegë këtu. Si i ke marrëdhëniet me ta?
Jo keq, megjithëse dihet që nuk bëhet fjalë për miqësi të sinqertë mes artistësh.