PS: Mbledhja e parë e Qeverisë, tjetër ditë e shpresës së vrarë
Një ditë pas mbledhjes së parë të kabinetit qeveritar dhe pak orë para deklaratës së pesë deputetëve që mendojnë ndryshe në PS, linja zyrtare e kësaj partie përforcon qëndrimin pro bojkotit të Kuvendit. Sekretari organizativ i selisë rozë, Blendi Klosi tha gjatë një konference për shtyp se mbledhja e parë e Qeverisë ishte një shfaqje hipokrite jo vetëm për ata që votuan kundër Berishës, por edhe për ata qytetarë që kërkojnë qeverisje nëpërmjet votës së lirë. “Dita e djeshme për qytetarët shqiptarë qe një ditë tjetër e shpresës së vrarë nga Sali Berisha dhe shpura e tij që pasi plaçkitën katër vjet Shqipërinë grabitën në mënyrë të paturpshme dhe zgjedhjet. I paaftë dhe i painteresuar për të dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve Sali Berisha dëshmoi dhe njëherë se nuk do të qeveris dot ndryshe, por do të vazhdojë mjeshtërisht pasurimin e oborrit të tij personal pavarësisht patericave të reja, që i ofroi Ilir Meta me votat e marra falë një mashtrimi të madh publik”, tha Klosi. Duke iu referuar përfshirjes në kabinet të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, deputeti i PS-së tha se qeveritar e re ka ministra të kërkuar nga drejtësia, çka sipas tij e bind akoma më shumë këtë forcë të vazhdojë misionin e saj të rezistencës demokratike, siç e quajti Klosi. “Sali Berisha i trembet së vërtetës së kutive të votimit, të cilat i mban peng në mënyrë të kundraligjshme. Ne nuk hyjmë në këtë Parlament të rezultateve të deformuara dhe të kutive të mbyllura. Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin në tavolinë, por do të kërkojmë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Nuk mund të ketë mision më legjitim për një opozitë demokratike sesa mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës”, tha deputeti i PS-së. Sipas tij “PS është vendosur në rrugën e saj legjitime për të mos lejuar që ligjit të kthehet në një letër pa vlerë, që zgjedhjet të kthehen në një proces të korruptuar që tufat e kriminelëve të lejohen të dalin nga burgjet për fushatë elektorale, që drejtuesit e shtetit të përdorin postet dhe fondet publike për fushatë elektorale; që njerëzit të largohen nga puna pse nuk rreshtohen me pushtetin”.