E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne si ndërkombëtarët për bojkotin”

 

Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati tha dje në një intervistë për “Top Channel”, se qëndrimi i selisë rozë është i njëjtë me atë të ndërkombëtarëve për sa i përket bojkotit të Parlamentit deri në zbardhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ne ndajmë të njëjtin qëndrim me Brukselin se debati demokratik bëhet në Kuvend, por për të mundësuar pjesëmarrjen në Kuvend duhet bërë një kontroll i votës së sovranit. Nëse kryeministri tha se është gati të ndryshojë Kushtetutën që ne të kthehemi në Parlament, përse nuk hap 20 kuti të qendrave të votimit në Kamëz”, ka pohuar Bushati. Deputeti i PS-së i jep përgjigje dhe shqetësimit të kryeministrit, sipas të cilit qëndrimi i opozitës ndaj Kuvendit pengon liberalizimin e vizave. “Kemi të bëjmë me një spekulim të Kryeministrit Berisha. Opozita i ka bërë nxitje qeverisë shqiptare që të aplikojë për statusin e kandidatit dhe për heqjen e regjimit te vizave. Nuk shoh asnjë veprim tonin që do të ishte pengesë për liberalizimin e vizave”, ka nënvizuar Bushati. Socialistët nuk kanë në plan të tërhiqen nga vendimi për të mos marrë pjesë në Kuvend derisa shumica të pranojnë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›