Ligji, 49 licencat që do jepen me një ndalesë
Në Kuvend ka mbërritur tashmë projektligji i qeverisë për licencat dhe lejet, i cili pritet të kalojë në Kuvend në fillim të muajit shkurt. Ky projektligj parashikon të gjitha procedurat, dokumentacionin, lejet, licencat, pagesat etj. që duhet të plotësojë çdo subjekt. Në bazë të këtij ligji, janë 49 licenca që do të jepen nga Qenka Kombëtare e Licencimit (QKL). Kjo qendër do të jetë zyra e vetme që do të lëshojë licenca dhe do të mbajë një regjistër mbi gjithë aktivitetin e saj. Projektligji njeh edhe miratimin në heshtje. Në rast se një subjekt paraqet të gjitha dokumentet që kërkon ligj për një licencë, por QKL-ja nuk ka dhënë një përgjigje brenda afatit, licenca quhet e miratuar automatikisht. Në rast se ka ndonjë mangësi në dokumentacion, atëherë kjo qendër lajmëron subjektin për problemin si dhe kërkesën e mbetur mangët që duhet plotësuar për marrë licencën. Projektligji bën një ndarje në tri grupe për licencat dhe lejet që do të jepen. Në thelb, ofrohen tri tipe procedurash në varësi të të dhënave dhe meritën e marrjes së një licence nga një subjekt. Në grupin e parë futen ato licenca, leje apo autorizime për të cilat verifikimi i kënaqjes së kushteve nga subjekti do të bazohet vetëm në vetëdeklarimin e tij. Në grupin e dytë hyjnë ato licenca dhe leje për të cilat krahas vetëdeklarimit, do të përdoren edhe dokumente të lëshuara më parë nga subjekte të ndryshme sipas rastit e që dorëzohen së bashku me kërkesën. Në grupin e tretë hyjnë ato licenca dhe leje që krahas karakteristikës që kanë sipas grupit të dytë, shqyrtimi i ligjshmërisë ose të meritës së kërkesës së subjektit, bazohet në përdorim e metodave të tjera, si inspektim, testim, provim, gara, intervistë, dëgjim publik apo çdo metodë tjetër e përshtatshme dhe e përcaktuar nga ligji nga aktet nënligjore. Grupi i parë dhe i dytë do të trajtohen ekskluzivisht nga QKL-ja, e cila në këtë rast shfaqet me të gjitha tiparet e një qendre unike me një ndalesë. Procedura për këto dy grupe është mjaft e thjeshtë, bazuar në forma e formate standarde të bërjes së kërkesës me dokumente të njohura për t’u paraqitur dhe në një shqyrtim të shpejtë nga QKL-ja. Në rastin e grupit të parë, procedura zgjat maksimalisht 2 ditë, ndërsa në grupin e dytë procedura zgjat maksimalisht 4 ditë. Në grupin e tretë procedura do të jetë e kombinuar, çka do të thotë se do të nevojitet më shumë kohë për të dhënë licencën. Ligji nuk ka përcaktuar afat në lidhje më grupin e tretë për shkak se varet nga procedura, por gjithsesi, mendohet se nuk do të kalojë një javë, si procedua standarde, për të dhënë një licencë në grupin e licencave me kritere më të zgjeruara.
Formulari me dokumentacionin
Emërtimin e kategorisë /nënkategorisë;
Llojin e veprimtarisë, veprimit apo të së mirës publike e të përdorimit të saj;
Të dhënat për identifikimin e kërkuesit dhe të personit, që paraqet kërkesën;
Vendin apo vendet e ushtrimit të veprimtarisë, të kryerjes së veprimit apo përdorimit të së mirës;
Të dhëna të tjera specifike, sipas kategorisë /nënkategorisë;
Deklaratën e kërkuesit, që vërteton se i njeh kriteret e licencimit/autorizimit/lejimit dhe i përmbush ato (për kriteret përmbushja e te cilave vetë deklarohet);
Deklaratën për vërtetësinë e dokumenteve shoqëruese; dhe/ose që i njeh dhe/ose i pranon detyrimet e licencimit/autorizimit/lejimit dhe do t'i përmbushë ato.
Adresën për komunikim;
Listën e dokumenteve shoqëruese që duhet paraqitur.
QKL-ja nuk mund të kërkojë paraqitjen e dokumenteve apo dhënien e informacioneve të tjera, të paparashikuara në formular.
Formulari i plotësuar dhe dokumentet shoqëruese, për çdo kërkese të paraqitur. publikohen nga QKL, në regjistër, brenda ditës së nesërme të punës nga data e paraqitjes së kërkesës.
QKL-ja shqyrton:
Identitetin e nënshkruesit dhe faktin, nëse është personi që mund të paraqesë kërkesën, sipas këtij ligji;
Plotësimin, e plotë e të saktë, të të gjitha të dhënave të detyrueshme, të kërkuara në formular;
Paraqitjen e të gjitha dokumenteve të tjera shoqërues, nëse kërkohen; përmbushjen apo jo të kritereve, përkatësisht, të licencimit/autorizimit/lejimit;
Pagesën e tarifës së shërbimit.
Shqyrtimi i përmbushjes të kritereve për grupin e parë, bazohet vetëm në vetëdeklarimin e kërkuesit.
QKL-ja refuzon kërkesën nëse:
Personi që ka paraqitur kërkesën, nuk është personi që mund të paraqesë
kërkesën, sipas këtij ligji;
Formulari i plotësuar nuk është i plotë apo përmban korrigjime dhe përmbajtja e tij nuk duket qartë apo është e palexueshme;
Nuk janë paraqitur të gjitha dokumentet e tjera shoqërues, ato nuk janë paraqitur në formën e kërkuar apo përmbajnë korrigjime a fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë apo është e palexueshme;
Kërkuesi nuk përmbush kriteret përkatëse të licencimit/autorizimit/lejimit;
Nuk është kryer pagesa e tarifës së shërbimit.