E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i buxhetit, dëshmi e dështimit të qartë të kryebashkiakut Edi Rama

Këshilli bashkiak i Tiranës rrëzon buxhetin e vitit 2009, me 26 vota kundër, 9 pro dhe 4 abstenime

TIRANE - Me 26 vota kundër dhe 19 pro dhe katër abstenime Këshilli Bashkiak i Tiranës ka rrëzuar projektbuxhetin e kryebashkiakut Edi Rama për vitin 2009. Vetë kryebashkiaku Rama nuk ka qenë i pranishëm në mbledhje për të mbrojtur buxhetin e tij.
Mbledhja është shoqëruar me debate të ashpra kur përveç këshilltarëve demokratë, kanë qenë dhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste ‘91 që kanë bashkuar votën kundër këtij projekti të shumëkontestuar që në muajin e kaluar.
Vlera totale e këtij projektbuxheti kapte shifrën e 7.6 miliardë lekë.
Lidhur me këtë buxhet kryebashkiaku Edi Rama ashtu si edhe vitet e kaluara kreu formalisht konsultime publike me komunitetet në njësi të ndryshme minibashkiake të Tiranës, megjithatë ashtu sikurse do të evidentonin më vonë krerët e disa njësive minibashkive, në këto takime nuk ishte marrë aspak mendimi i qytetarëve.
Jo vetëm kaq, por pjesa më e madhe e krerëve të minibashkive në kryeqytet kanë reaguar për këto takimet e kryebashkiakut Edi Rama me komunitetin për hartimin e buxhetit 2009. Sipas tyre, këto takime bëhen sipas dëshirës së Ramës dhe nuk paraprihen nga njoftime zyrtare, ku nuk ftohen as kryetarët e njësive bashkiake përkatëse, edhe pse sipas tyre është e domosdoshme.
Madje në disa raste qytetarët problematikë dhe që kishin kritika të hapura ndaj kryebashkiakut Rama janë larguar pa shumë takt nga takimi.

Këshilltarët bashkiakë
I pranishëm në mbledhjen e këshillit, kryetari i këshillit për PD-në, Ferdinand Poni, tha se, “këshillit bashkiak, nuk pati mundësi mbledhjen e kaluar të dëgjojë kreun e bashkisë Tiranë, pasi ai në mënyrë të turpshme ndërpreu diskutimet në mes dhe iku”.
Duke kujtuar faktet për shkolla e rrugica që janë financuar më shumë se dy herë, Poni e cilësoi këtë buxhet si tepër abuziv, duke shtuar se gjesti i bashkisë është një mbrojtje e hapur e vjedhjes të bërë nga vetë ajo.
Këshilltari i PD-së Flamur Noka tha se, “diskutimi për buxhetin që është paraqitur sërish për miratim, është i njëjti me atë të dhjetorit ku u panë qartë rifinacimi i një sërë veprash”.
Noka nuk la pa prekur dhe performancën e dobët që ka bashkia në mbledhjen e taksave. Ai theksoi se, komunat më të thella kanë pasur rritje të performancës fiskale me 30 për qind, kurse bashkia më e madhe e vendit ka vetëm regres në këtë fushë.
Suzana Guxholli, anëtare e këshillit Bashkiak njëkohësisht dhe këshilltare e Kryeministrit e cilësoi buxhetin e paraqitur nga bashkia “një dështim të radhës”, duke theksuar se, “buxheti mbart mangësi të jashtëzakonshme, nga ana fiskale dhe e transparencës”. Guxholli theksoi dhe një herë se ngritja e të ardhurave nga bashkia është bërë në sajë të delegimit të disa taksave nga pushteti qendror në atë lokal.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule njëkohësisht anëtarë i Këshillit Bashkiak, vuri në pah mungesën e amendamenteve në buxhetin e bashkisë, duke theksuar se “buxheti i rrëzuar është një dëshmi e dështimit të qartë të bashkisë së Tiranës”.
Gjergji Bojaxhi, anëtar i Këshillit Bashkiak për PD-në u ndal në transparencën e bashkisë së Tiranës, ku theksoi me fakte se, “Rama kishte bërë takime vetëm me militantët e Partisë Socialiste”. Ai tha se askush nuk është njoftuar në mediat lokale për këto takime.
Të njëjtat mendime me këshilltarët e PD-ës, u shprehën edhe nga ana e këshilltarëve të LSI-së.
“Bashkia kërkon ti hedhë hi syve me projektet që janë financuar një here. Ka mungesë transparence në buxhetin e bashkisë”, u shprehën ata”.
Këshilltarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh se, “Edi Rama nuk bëri transparencën e buxhetit për vitin 2008. Rama nuk solli detajimin e fondit të investimeve për vitin 2009. LSI-ja ka bërë propozime për, investime në rrugë e kanalizime, ngrohjen në shkolla e kopshte dhe se propozimet tona nuk janë marrë parasysh”.
Më tej ajo tha se nga 11 njësi vendore që ka Tirana, 7 janë kundër këtij buxheti.

Krerët e minibashkive
Paralelisht me shumicën e këshilltarëve bashkiakë, edhe drejtues të njësive minibashkiake nr. 3, 5, 6, 10 dhe 11 në Tiranë kanë kërkuar vazhdimisht më shumë buxhet me investime të ndara në zëra dhe zona të veçanta. Vetëm dy javë më parë ka qenë Shoqata e Njësive Bashkiake, ajo që ka kundërshtuar fort miratimin e projekt buxhetit të vitit 2009, hartuar nga bashkia e Tiranës, duke paralajmëruar ndërkohë votën kundër. Tetë kryetarë të minibashkive të kryeqytetit, nëpërmjet një deklarate për shtyp kanë kundërshtuar projekt buxhetin 2009, që sipas tyre i ngjan një tabele elektronike shifrash dhe jo prioritetesh dhe investimesh.
Shoqata e njësive bashkiake paralajmëroi se këshilltarët e partive përkatëse në Këshillin Bashkiak, nuk do ta votonin projekt buxhetin. Sipas kësaj shoqate, ky projektbuxhet nuk është i ndarë në zëra të veçanta investimesh si dhe për hartimin e tij nuk janë vlerësuar kërkesat e njësive bashkiake, sipas nevojave të komunitetit të gjithsecilës.
Mbi të gjitha, pjesa më e madhe e krerëve të minibashkive shpreheshin të mendimit se ky projektbuxhet është mashtrim dhe vjedhje, pasi në të parashikohen investime, të cilat ose janë realizuar gjatë vitit 2008 dhe fondet e vitit 2009 do të përdoren me të njëjtin pretekst por për qëllime të tjera, ose nuk janë realizuar gjatë këtij viti dhe pretendohet të realizohen gjatë vitit 2009, edhe pse fondet kanë qenë që në vitin 2008.
“Investimet e parashikuara në projektbuxhetin e Edi Ramës janë në tërësi në nivelin 0. në këtë projektbuxhet, janë propozuar investime në infrastrukturë të cilat nuk kanë përfunduar gjatë vitit 2008. Lind pyetja, ku kanë shkuar taksat e paguara nga qytetarët? Ky projektbuxhet parashikon rikonstruksion shkollash, të cilat ne e dimë që kanë përfunduar gjatë këtij viti. Lind sërish pyetja, ku do të çohen këto fonde që dalin nga xhepi i taksapaguesve. Prandaj jemi kundër miratimit të këtij projektbuxheti, i cili mbi të gjitha nuk plotëson nevojat e banorëve të komunitetit tonë”, deklaroi kryetarja e minibashkisë nr. 7 Luzhiana Abazi, menjëherë pas takimit që kanë zhvilluar minibashkitë e shprehura kundër projektbuxhetit të Ramës.
Kryetaret e Njësive Bashkiake të Tiranës, kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga qëndrimi i tyre, derisa një pjesë e buxhetit për investime të kalojë në ato investime që ata i shikojnë si prioritare, të cilat plotësojnë dhe kërkesat e komunitetit të njësive përkatëse.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›