E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renditja e kandidatëve për vendet bosh në zyrat vendore



Laureta Rryçi

Tiranë - Avokatura e Shtetit është në prag të reformimit, duke kërkuar të zëvendësojë përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit në të gjitha prefekturat e vendit. Për konkursin më të fundit i zhvilluar për zëvendësimin e 15 posteve drejtuese të zyrave vendore kanë dalë dhe rezultat zyrtare. Gjithsej ka pasur 18 kandidatura dhe është rënë dakord që vetëm katër kandidatët që kanë fituar më shumë pikë të nisin marrëdhënie pune me Avokaturën e Shtetit. Ndërsa nga kandidati që është renditur i pesti e deri tek i nënti do të jenë në listë pritjeje për të qenë pjesë e stafit të Avokaturës së Shtetit. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan dje për gazetën “Albania” se konkursi u zhvillua në bazë të disa kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve që duan të jenë pjesë e këtij institucioni. Specialistët kishin hartuar që kandidatët që do të përzgjidheshin më parë do t’u nënshtroheshin një sërë testeve dhe trajnimeve afatgjata. Konkursi u organizua më 15 janar të këtij viti, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Që ditën kur në krye të këtij institucioni u emërua Eduard Halimi, ky i fundit deklaroi se reformimi ishte nisma e parë që do të ndërmerrte.
Konkursi
Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe në kuadrin e projektit “Mbështetje për forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës Shqiptare të Shtetit”, financuar nga AECID dhe Ambasada e Spanjës në Tiranë, ndërmori nismën për reformimin e zyrave vendore. Kandidatët konkurruan për 15 pozicione në zyrën vendore Tiranë dhe pranë ministrive. Regjistrimet patën nisur nga data 16 dhjetor 2008 deri më 13 janar 2009, pranë Zyrës së Protokollit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Programi i konkursit përmbante lëndët: E Drejta Civile, E Drejta Procedurale Civile, E Drejta Kushtetuese dhe E Drejta Administrative. Tërheqja e programit do të bëhet pranë Zyrës së Protokollit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.
Pikët
Nga të gjithë kandidatët ka marrë më shumë pikë Viola Ahmeti, duke i garantuar kështu vetes një vend pune në Avokaturën e Shtetit. Në bazë të Nenit 20 të Ligjit Nr. 10018, datë 13.11.2008, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2009, kushtet për t’u emëruar Avokat i Shtetit kanë ndryshuar. Avokat i Shtetit mund të emërohet çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme: të ketë përfunduar studimet e larta për Drejtësi; të ketë një përvojë pune në praktikën gjyqësore ose administrative prej të paktën 5 vitesh; të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave; të mos jetë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas dispozitave të këtij ligji; të kalojë me sukses procesin përzgjedhës përkatës për pozicionin e Avokatit të Shtetit. Ky konkurs do të ketë edhe dy faza të tjera që të marrë formën përfundimtare. Pas testimit, kandidatët do t’i nënshtrohen fazës së formimit për një periudhë 2-3 muaj dhe provimi përfundimtar do të zhvillohet brenda 3 muajve nga zhvillimi i provimit hyrës. Në procesin hyrës do të pranohen 30 kandidatë, të cilët do të vazhdojnë procesin formues dhe vetëm 15 do të jenë me kohë të plotë dhe pagesë të plotë, ndërsa të tjerët do t’i nënshtrohen procesit formues pa pagesë.

Kandidatët sipas pikëve që kanë marrë

Viola Ahmeti 218 pikë
Marie Cara 158 pikë
Artur Hysenaj 156 pikë
Endri Kotherja 145 pikë
Arben Bajraktari 130 pikë
Afërdita Lohja 130 pikë
Majlinda Salillari 125 pikë
Alma Trashani 107 pikë
Bledar Valikaj 103 pikë
Eninaj Mullaj 87 pikë
Florian Boriçi 86 pikë
Natasha Laskaj 75 pikë
Adnan Shuli 52 pikë
Eduard Allamani 51 pikë
Luljeta Tafani 42 pikë
Dori Myftiu 41 pikë
Klodiana Alihmehmeti 31 pikë
Gentiana Lato 29 pikë
Hektor Muçaj 25 pikë

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›