E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhi një dyqan gjashtë ditë më parë, ndalohet adoleshenti



Tiranë – Policia ka vënë dje në pranga një të dyshuar për vjedhjen e një dyqani në kryeqytet. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve ë Biznesit, gjashtë ditë, pas denoncimit nga një shtetase për vjedhjen e dyqanit në pronësi të saj, ka mundur të identifikojë si të dyshuar Drini Xhelon, 18 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua një kompjuter laptop, që mendohet se është vjedhur në këtë dyqan. U kryen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”.

Nuk kallëzoi krimin, arrestohet pas një viti i riu

Tiranë - Një 23-vjeçar, i shpallur në kërkim për konsumim të veprës penale të moskallëzimit të krimit, u vu në pranga dje nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Policia e Tiranës tha për gazetën “Albania” se u zbatua kështu urdhri i Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit penal të datës 10 dhjetor 2007, të Gjykatës së Shkallës së Parë për caktimin e masës së dënimit me 8 muaj burg në ngarkim të shtetasit Sidit Bedini, 23 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, ai ishte person i shpallur në kërkim më datë 2 janar 2008. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Hetim katër personave, dyshohen se i privuan lirinë për marrje pasurie një të riu

Tiranë – Katër persona janë vënë në hetim pasi dyshohet se janë autorë të heqjes së paligjshme të lirisë së një të riu me qëllim dhënien e pasurisë. Policia e kryeqytetit bëri të ditur për gazetën “Albania” se pak ditë më parë një shtetase, banore në Qytetin Studenti, denoncoi se i kishin marrë forcërisht të fejuarin e saj Ardian Rukaj, 21 vjeç, me të cilën bashkëjetonte.
Specialistët e Seksionit kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit, në bashkëpunim me prokurorinë, nisën hetimin, ku rezultoi se nuk kemi të bëjmë me veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”, por kemi të bëjmë me veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë së personit” dhe të “shtrëngim me kanosje apo dhunë për dhënie pasurie”, parashikuar nga nenet 110 e 109/b të Kodit Penal. Sipas policisë, autorë të dyshuar janë shtetasit: Sh. D., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Rukaj Burrel; S. D., 45 vjeç, lindur në fshatin Rukaj Burrel dhe banues në Kodër Kamzë Tiranë; H. K., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Rukaj Burrel; H. D., 38 vjeç, lindur në fshatin Rukaj Burrel dhe banues në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetimin në liri të të dyshuarve për konsumim të veprave penale të mësipërme.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›