E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet autobusi me aktivistët e Aleancës KuqeZi, fuoristrada e nxjerr nga rruga

Share

Fati dhe pemët e bimësia e dendur kanë ndihmuar të rinjtë e Aleancës KuqeZi të shpëtojnë nga aksidenti në një aks shumë të rrezikshëm. Një makinë Range Rover ka provokuar daljen e tyre nga rruga. Policia thotë se është vënë në ndjekje të makinës

Rreth orës 16:45 minuta, në redaksitë e Tiranës kishte mbërritur lajmi se një autobus kishte rënë në Elbasan. Lajmi i befasoi të gjithë. Sërish një autobus në greminë, sërish nga Elbasani. Të gjithë kishin në mendje ngjarjen e rëndë të Himarës, kur një autobus me targa të Elbasanit doli nga rruga duke rënë në humnerë e duke vrarë 13 persona.

Por shumë shpejt u bë e ditur se nuk kishte viktima. Në autobus ishin mbi 30 persona, të cilët kishin marrë plagë të lehta. Vetëm dy pasagjerë kishin marrë plagë më të rënda, por pa problem për jetën e tyre.

Pasagjerët e autobusit ishin të gjithë aktivistë të Aleancës KuqeZi, të cilët po ktheheshin nga Tirana në drejtim të Librazhdit, pasi kishin festuan në Tiranë kongresin e tyre të parë. Fakti që një makinë fuoristradë i kishte ndërprerë rrugën autobusit duke e goditur së paku dy herë, ngriti menjëherë disa dyshime. Policia tha se është vënë në ndjekje të makinës që shkaktoi aksidentin, ndërkohë që bimët dhe pemët në vendin ku u rrëzua autobusi bënë që ngjarja të mos kishte pasoja katastrofike.

Ngjarja

Autobusi doli nga rruga në Qafën e Krrabës, në vendin e quajtur Qershitë. Për pasojë, 29 persona kërkuan mjekim, 8 nga të cilët kanë pësuar dëmtime dhe dy prej tyre janë në gjendje serioze. Ata janë Artan Kojku dhe Pranvera Dollaku, të cilët janë transportuar me urgjencë për në spital për mjekim. Në vendin e ngjarjes, në një zonë 30 metra poshtë rrugës nacionale, ka mbërritur me urgjencë edhe një helikopter për të transportuar personat që ishin më rëndë.

Burime pranë Aleancës KuqeZi konfirmuan se një fuoristradë e dyshimtë i ka prerë rruëen autobusit dhe ka shkaktuar rrëzimin e tij. Drejtuesit e Aleancës KuqeZi dyshojne për provokim, i cili ka pasur përfundim fatal. Burime të policisë bëjnë të ditur se një mjet tip Range Rover, me targa të Tiranës, i ka prerë rrugën autobusit, i cili në tentativë për të shmangur përplasjen ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë.

Mjeti me shpejtësi, gjatë parakalimit ka goditur shkarazi në anën e majtë autobusin dhe më pas ka humbur kontrollin dhe ka ndalur diagonal në shtratin e rrugës.

Drejtuesi i autobusit, në përpjekje për të shmangur goditjen fatale me mjetin tjetër ka devijuar dhe frenuar, por jo mjaftueshëm dhe për pasojë autobusi ka dalë nga rruga.

Autobusi po shkonte nga Tirana në drejtim të Elbasanit. Makina ishte ose Range Rover, ose Land Rover. Në momentin që autobusi po dilte nga rruga, makina i ka rënë pak mbrapa. Shoferi devijoi, ai bëri për ta parakaluar, e goditi dhe autobusi doli nga rruga. Tetë vetë u plagosën rëndë, tregon Edmond Kurti, që udhëtonte në autobus.

Policia menjëherë pas marrjes së dëshmive u vu në kërkim të mjetit që provokoi këtë aksident, që për pak u kthye në një ngjarje fatale. Dëmtimi është amortizuar nga pemët dhe vegjetacioni i dendur që ndodhet në këtë zonë.

Duke u kthyer ishte një kthesë, një Range Rover e zezë na bëri parakalim, i ra gomës së parë të autobusit dhe pastaj ai ra poshtë, duke bërë 3-4 rrokullisje, rrëfen nga spitali pasagjerja e plagosur Pranvera Sollaku.

Mjekët kanë kontrolluar të gjithë pasagjerët e autobusit sapo ata mbërritën me mjete të ndryshme dhe autoambulanca. Në spitalin tonë kanë ardhur 29 persona. Ata kishin dëmtime të lehta, vetëm dy raste paraqesin probleme, që mund të kenë të bëjnë me trauma ose hemorragji. Por të tëra rastet nuk përbëjnë problem për jetën, ka sqaruar kirurgu Behar Gjevori.

Mes të lënduarve është edhe kryetari i Aleancës Kuq e Zi për Librazhdin, Fatmir Drazhda, i cili në një komunikim telefonik me NEWS24 bëri të ditur se aktivistët nuk kanë dëmtime serioze, por vetëm gërvishtje të vogla.

Aktualisht ndodhemi në kirurgjinë e Elbasanit. Kemi marrë dëmtime të lehta. Nuk ka persona në gjendje të rëndë, deklaroi Drazhda.

Policia e Tiranës bëri të ditur se në autobusin me targë LB 3156 A, udhëtonin rreth 35 persona.

Drejtues i mjetit shtetasi Mitat Servet Biçaku zotëron leje drejtimi të grupit D, të marrë më 12.10.1999. Në këtë aks rrugor, në të dy hyrjet e tij, nuk ka tabela që kushtëzojnë lëvizjen e këtyre lloji mjetesh, bëri të ditur policia.

Të plagosurit

Altin Alla

Artan Kojku

Taulant Muca

Dritan Bozhiqi

Fatmir Brazhda (kryetari i Aleancës Kuq e Zi për Librazhdin)

Florian Shkurti

Medin Hysa

Olsi Ozuni

Pranvera Sollaku


Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›