E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet kamioni me dinamitin e rrugës

MIRDITE – Rrëzohet në oborrin e një shtëpie kamioni i mbushur me dinamit. 

Mbrëmjen e djeshme, ndërsa udhëtonte në aksin Reps-Thirrë, në afërsi të fshatin Bisak të Mirditës, shoferi shqiptar, Pjetër Çoku ka humbur kontrollin e mjetit. Ai ka dalë në krahun e majtë të rrugës, duke u rrëzuar në oborrin e shtëpisë së Ndue Laskës. Mjeti “Iveco” me targë DR 3392 C po transportonte nga Durrësi për llogari të firms “Bechtel-Enka” një sasi të llogaritur rreth 10 ton lëndë plasëse që shfrytëzohet për hapjen e trasesë në autostradën Durrës-Kukës. Papritur, për arsye që ende nuk dihen, makina është batuar, duke u përplasur me pjesën anësore të shtëpisë dykatëshe të Laskës. Si pasojë, kallëpet e dinamitit janë shpërndarë para shtëpisë ku banon familja e Laskës. I alarmuar, kryefamiljari bashkë me të shoqen, dy fëmijët dhe prindërit kanë dalë jashtë, ku kanë parë se ç’kishte ndodhur. Menjëherë është lajmëruar policia, ku fillimisht kanë shkuar forca nga Mirdita, Rrësheni e Lezha e më pas dhe ekspertë të Tiranës e nga firma. Qëllimi kryesor ishte mbledhja e dinamitit dhe transportimi i menjëhershëm, pasi mund të provokohej shpërthimi i tyre dhe atëherë përmasat do të ishin katastrofale. Vetë drejtuesi është transportuar në spital, ndërsa po kryhen hetime për zbardhjen e ngjarjes. Kryefamiljari Laska pohoi mbrëmë se i janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme nga përplasja.                                       r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›