E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet sezoni, kryebashkiaku: Do synojmë dhe turizmin transit

DURRES – Ndonëse me një vonesë 10 ditore, në krahasim me qytetet e tjera turistike, Durrësi ka zyrtarizuar hapjen e sezonit turistik “Verë 2008”. 

Me një koncert masiv kryebashkiaku Vangjush Dako ka “bekuar” ardhjen e stinës së nxehtë. “Turizmi mbetet prioriteti i bashkisë sonë dhe promotori i zhvillimit ekonomik, ndaj meriton vëmendjen e të gjitha palëve për të punuar sa më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së këtij sektori kaq të rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë”, tha Dako në fjalën prezantuese. Për herë të parë, Bashkia ka akorduar në buxhetin e saj këtë vit, një fond prej 10 milionë lekësh enkas për turizmin, në mënyrë që ky sektor të ketë një hov cilësor në zhvillimin e tij. Kryebashkiaku nënvizoi se Durrësi po hyn dita-ditës në itineraret e turizmit mesdhetar dhe mbërritja e vazhdueshme e kroçierave të huaja në port e dëshmon një fakt të tillë. Një rol të rëndësishëm për Durrësin luan dhe turizmi transit. Duke qenë se, porti përpunon çdo vit mbi 1 milionë pasagjerë, autoritetet vendore preferojnë të shtojnë numrin e turistëve me ata që zbarkojnë në Durrës edhe për motive pune apo personale. “Tani turizmi transit është një perspektivë e afërt, të cilën duhet ta shfrytëzojmë mirë”, tha Dako. Kontingjent i turizmit transit pritet të jenë sidomos, shtetasit nga Kosova dhe Maqedonia. Ata përpara se të mbërrijnë në destinacion mund të qëndrojnë në hotelet e qytetit, duke e shumëfishuar në këtë mënyrë “bumin” e industrisë turistike. Dako bëri me dije në ceremoninë përuruese se pushteti vendor do t’i presë rrugën spekulimeve dhe abuzimeve me turizmin. “Rritja e turizmit do të jetë e drejtuar dhe e mbështetur nga një marketing i ndërgjegjshëm, nga një plan krijues i produkteve, nga një infrastrukturë e përshtatshme, nga burime njerëzore të cilësisë së lartë dhe nga një klimë biznesi e turizmit me rregulla të qarta loje”, garantoi numri një i bashkisë. Për Prefektin e Durrësit Klodian Pajuni, ky sezon do të shënojë një numër rekord pushuesish. Ai tha se, duhet të shfrytëzohet maksimalisht vija bregdetare e Qarkut të Durrësit prej mbi 60 kilometrash, pasi kjo mbetet ende një perlë, ku turisti shkel rrallë. “Për fat të keq turizmi vazhdon të shtrihet vetëm në vijën tradicionale nga Currilat e deri tek Përroi i Agait, ndërkohë që shumë prej plazheve të tjera, të ndodhura në veri janë të pafrekuentuara për mungesë rruge”, u shpreh Pajuni.                                   o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›