E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet policia për arrestimin e lazaratasve, një i lirë

• GJIROKASTER - Ndalimi i dy personave nga Lazarati për pengmarrje dhe dhunë ndaj një 18-vjeçari ka rezultuar i pamenduar dhe madje i pabazuar nga policia.Kështu e kanë argumentuar arrestimin avokatët e Jaho Skënderit dhe Roland Dalanit, të ndaluar nga policia e Gjirokastrës tri ditë më parë. Gjatë seancës së djeshme të sigurisë, gjykata ka lënë të lirë Skënderin, pasi nuk është gjetur asnjë provë për pjesëmarrjen e tij në rrahjen e Alban Rustemit nga qyteti i Libohovës. Ndërkohë, është lënë në burg pa afat personi i dytë i ndaluar, Roland Dalani. Autorët që sipas policisë keqtrajtuan Alban Rustemin mbrëmjen e 22 shkurtit, janë paraqitur mesditën e djeshme në seancën gjyqësore për t’u njohur me masën e sigurisë. Kryetari i trupit gjykues, Shkëlqim Mustafa fillimisht i ka dhënë fjalën prokurorit të çështjes, Spartak Çoçoli për të paraqitur argumentet ligjore, të cilat do justifikonin masat e gjyqësorit. Prokurori ka kërkuar detyrim paraqitje të Jaho Skënderit dhe burg pa afat për Roland Dalanin. Ndërkohë që avokati i çështjes, Andi Duraj ka kërkuar lirimin në sallën e gjyqit të të dy të pandehurve kërkesë kjo e cila nuk u mor në konsideratë nga drejtuesi i seancës Mustafa. Sipas policisë së Gjirokastrës, Jaho Skënderi dhe Roland Dalani kishin ushtruar dhunë mbi Alban Rustemin, i cili pretendonte se ishte marrë me forcë, për shkak të grabitjes së një sasie hashashi. Por, të ndaluarit e kundërshtuan me forcë një pretendim të tillë pasi për ta është veçse gënjeshtër. Kjo bëhet edhe më e besueshme po të merren në konsideratë deklarimet kontradiktore të bëra në prokurori nga ana e Alban Rustemit, i cili një ditë më parë pranoi se ishte rrahur nga dy të ndaluarit dhe pas 12 orësh hodhi poshtë këtë pretendim duke bërë fajtor për rrahjen e tij jo më Jaho Skënderin por një tjetër person që ngjasonte me të. Burime të sigurta nga organi i akuzës së Gjirokastrës pohojnë se nisur nga të dhënat e deritanishme, i pandehur mund të merret edhe vetë 18-vjeçari Alban Rustemi i cili akuzohet nga të ndaluarit për shpifje dhe trillim të të gjithë ngjarjes si dhe një person i dytë pjesëmarrës në këtë inskenim.            p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›