E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Korçë-Qafë Plloçë, fermerët vendosin tarifat për tokën

• KORÇË – Fermerët, tokat e të cilëve preken nga ndërtimi i superstradës Korçë–Qafë Plloçë, kërkojnë shpronësimin e tokës që humbasin si truall e jo si tokë bujqësore.Kjo për faktin se ata e cilësojnë tokën që do të “sakrifikojnë” për rrugën nacionale si tokë të kategorisë së parë. Më i theksuar është ky pretendim në radhët e banorëve të fshatrave afër Korçës dhe Pogradecit, ku trojet janë shumë të lakmuar dhe afrohen me çmime edhe më të larta se sa ai i parashikuar nga shteti në hartat e tij kadastrale. Edhe pse numri i fermerëve që do të shpronësohen nuk është shumë i madh, secili prej tyre ka pasur projekte konkrete biznesi për të shfrytëzuar atë rrip toke. “Sipërfaqja që na shpronësohet nuk është e madhe, por ne kërkojmë që vlera e caktuar nga shteti t’i afrohet vlerës reale të saj. Ne nuk do të pranojmë çmim më të ulët se sa ai i tregut”. Ndërkohë që nga Ndërmarrja Rajonale e Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale mësohet se ka filluar puna për përcaktimin e sipërfaqeve që do të shpronësohen nga ndërtimi i këtij segmenti. Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Kreshnik Zani, deri dje ishin dërguar në zyrën e hipotekës skicat e tokave që shpronësohen në komunat Bulgarec e Libonik dhe janë në përfundim skicat e dy komunave të tjera, ku shtrihet superstrada. Rruga Korçë–Qafë Plloçë do të jetë e gjerë 11.5 metër dhe do të ketë dy korsi. Në gjithë gjatësinë e saj prej 33 kilometrash do të ndërtohen shumë vepra arti. Ky aks është një nga më të rëndësishmit në këtë rajon dhe për të shteti ka planifikuar një fond prej 418 milionë lekësh.                  j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›