E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen paditë për firmën piramidë

• Publikimi i lajmit se dy ish-biznesmenët Jani Lluka dhe Ilia Nikolla po fshihen pasi kanë marrë sasi të mëdha parash në formë kredie nga qytetarët korçarë, ka “zgjuar” edhe huadhënës të tjerë nga Tirana, Durrësi dhe Saranda.KORÇE/ JORGJETA GJANÇI Këta të alarmuar i kanë telefonuar dje policisë së Korçës dhe kanë kërkuar sqarime në lidhje me këtë çështje. Në këto rrethana, shefi i komisariatit të policisë, Latif Kulla, i ka siguruar qytetarët se strukturat që ai drejton, konkretisht zyra e krimit ekonomik, pas denoncimit më të parë që do të mbërrijë prej tyre do të impenjohet maksimalisht për kapjen e dy biznesmenëve mashtrues. Deri tani personat e dëmtuar i janë drejtuar gjykatës për padi civile, pasi paratë janë dhënë në bazë të një akti noterial. Marrëveshja noteriale mes dy palëve huamarrës dhe huadhënës ka bërë që dy të akuzuarit, edhe pse kanë grumbulluar mbi 200 milionë lekë të mos paditen për mashtrim dhe të mos jenë objekt të hetimit penal. Për këtë arsye, shefi i policisë thotë se pas kallëzimit penal do të nisë dhe puna e antikrimit ekonomik ndaj dy biznesmenëve kredimarrës Jani Lluka dhe Ilia Nikolla. Ata kanë qenë pronarë të firmës “Interkonfeksione Kompani”, që zhvillonte aktivitet deri në shtatorin e vitit të kaluar dhe që kanë marrë shuma të mëdha parash në formën e kredisë, duke u premtuar huadhënësve të tyre një interes prej 12 për qind. Sipas kancelarit të gjykatës së Korçës, ku janë depozituar paditë, vetëm huadhënësi Arqile Ruço ka mundur të mbyllë procesin gjyqësor me dy të akuzuarit e mësipërm, të cilët gati në të gjitha seancat kanë munguar. Në bazë të vendimit të marrë, gjykata ka vendosur që ish-biznesmenët Lluka dhe Nikolla duhet t’i kthejnë Ruços 11.400 dollarë. Njëherësh mësohet se janë në proces gjyqësor edhe 9 huadhënës të tjerë, të cilët në paditë e tyre kërkojnë që t’u kthehen shumat që u kanë dhënë me prokurë të veçantë dy huamarrësve. Shumat që ata kanë derdhur në këtë “piramidë” fillojnë nga disa milionë lekë, dollarë dhe euro deri në qindra mijë, siç është rasti i Vasillaq Çervenit, që ka dhënë hua 100 mijë dollarë. Çdonjëri prej tyre në akt-akuzën e vet, duke kërkuar zbatimin e deklaratës noteriale, ka llogaritur të marrë edhe përqindjen prej 12% që sanksionon deklarata. Por siç është bërë e ditur në seancat e tyre gjyqësore, vazhdimisht mungojnë të akuzuarit. Pak më prapa në rrugën e gjatë gjyqësore janë 7 qytetarë të tjerë të Korçës, të cilët sapo kanë paraqitur ankesën e tyre dhe kanë kërkuar të fillojnë proces gjyqësor ndaj dy huamarrësve të mësipërm. Më të tërhequr nga proceset gjyqësore janë disa nga filialet e bankave të nivelit të parë dhe të dytë në Korçë, të cilët u kanë dhënë kredi dy ish-biznesmenëve të konfeksioneve. Dje drejtues të tyre nuk kanë pranuar të japin asnjë shpjegim rreth këtij fakti, duke u justifikuar me deklaratën se dhënien e informacioneve të tilla e kanë të centralizuar në Bankat Qendrore të tyre.Të gjithë këta kredidhënës shumë shpejt me vendimet e tyre në dorë do të dynden në zyrën e përmbarimit për të kërkuar zbatimin e vendimeve gjyqësore. Në radhët e tyre ka filluar të ndihet shqetësimi se vendimet gjyqësore do të mbeten në letër e nuk do të zbatohen ndonjëherë, deri në gjetjen e huamarrësve. Mësohet se në rrugë private, të dëmtuarit kanë nisur kërkimet për Nikollën e Llukën, duke arritur të gjejnë gjurmët e tyre. Sipas dyshimeve të para, biznesmenët janë vendosur në zonat e malësisë së Korçës, megjithatë mungesa e veprimit të policisë deri tani e ka lënë informacionin në rrugë jozyrtare. Kreditorët në gjykatë1-Arqile Ruçoka përfunduar procesin gjyqësor dhe sipas vendimit, dy biznesmenët duhet t’i kthejnë 11.400 USD Në proces2-Isuf Salice3-Vasillaq Cerveni4-Vangjush Dishnica 5-Vladimir Andoni 6-Iljaz Floqia7-Pandush Andoni 8-Thimaq Cerveni9-Sotiraq Cipi10-Arjan Terolli 10 personakanë depozituar ankesën e tyre në Gjykatën e Korçës për moskthim të parave të marra në formë kredie. Në asnjë prej proceseve nuk janë paraqitur të kallëzuarit200 milionelekë është shuma e marrë në formë kredie nga dy biznesmenët, të cilët pas falimentimit janë larguar pa asnjë gjurmë nga qyteti i Korçës, bashkë me familjet e tyre

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›