Rrëzohet sërish kërkesa e PD për komisionin për Investimet Strategjike! Balla: S’ka indicie për ta ngritur! Aliebaj: Skandaloze

Kërkesa e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike është rrëzuar për herë të tretë. Edhe pse PD paraqiti 35 firmat siç e kërkon ligji, mes të cilave ishte edhe ajo e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës, Konferenca e Kryetarëve e rrëzoi sërish këtë kërkesë. Sipas kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nuk ka asnjë fakt apo indicie që Kuvendi të investohet në ngritjen e një komisioni të tillë, ndërsa për kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kjo është shkelje kushtetuese dhe e ligjit për komisionet parlamentare.
Duke e cilësua si vendim skandaloz, Alibeaj tha se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ngritjen e këtij komisioni që do të hetojë sipas tij të gjithë vendimet e qeverisë që jepen për investitorët strategjik në vend.
“Skemë korruptive, u shkel Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore. Kërkuam që të hetoheshin të gjitha pikat e miratuara nga Komisioni për Investimet Strategjike. U shkel kushtetuta për rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor. Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për komisionin. Ne do t’i bëjmë me dije të gjitha arsyet reale të rrëzimit të kërkesës sot”, tha Alibeaj
Balla, nga ana tjetër, tha se të hetosh të gjitha kontrata dhe hapësirën e ligjit nuk është objekt i komisionit hetimor.
‘Mendoj se opozita ka plot instrumente të kontrollit parlamentar për të adresuar propozimet e veta. Në kërkesë nuk ka asnjë fakt dhe asnjë indicie që kuvendi të investohet për ngritjen e një komisioni hetimor. Janë tepër të qarta ato që ka përcaktuar Kushtetuta, e drejta e Kuvendit nuk është e pakufizuar. Duhet të përqaset me nevojën e identifikimit të fakteve konkrete. Të hetosh të gjitha kontrata dhe hapësirën e ligjin nuk është objekt i komisionit hetimor. Të enjten do të parashtroj të gjitha qasjet e grupi parlamentar’, tha Balla.
PD kërkon ngritjen e këtij komisioni hetimor pasi akuzon qeverinë për abuzime dhe klientelizëm për projektet strategjike dhe se pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe te një grusht oligarkësh pranë tij.
/rtsh.al/