E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezohet video-pergjimi Meta-Prifti

Tre ekspertët shqiptarë kanë dorëzuar në Gjykatën e Lartë akt-ekspertimin e tyre video-përgjimin Meta-Prifti. Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani u shprehën qartë se në orën regjistruese nuk kanë gjetur asnjë material video-audio mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish.ministrit të Ekonomisë Dritan Priftit, c’ka sipas tyre do të thotë se video-përgjimi nuk është origjinal.

Tre ekspertët ekzaminuan orën-kamera, lap topin dhe USB-në e dorëzuar nga Dritan Prifti. Ata kanë konkluduar se edhe pas pastrimit të audios nuk mund të garantohej një dëgjueshmeri e kuptueshme sidomos në disa pjesë të vecanta. Ndërkohë nuk bëhet e mundur edhe përcaktimi i orës dhe datës së saktë të regjistrimit pasi nuk u gjetur material original sepse gjatë bisedës nuk është regjistruar ora e saktë. Përsa i takon video-përgjimit të transmetuar në dvd e transmetuar në media ekspertët thanë se ka patur manipulime dhe ndërhyrje. Në ekspertizë thuhej gjithashtu se ekzistonin programe dhe pajisje elektronike të cilat mund të bënin zhdukjen ose tjetërsimin e materialeve pa lënë gjurmë të dhënash.

Në orën origjinale që z Prifti pretendonte të kishte bërë përgjimin, 3 ekspertët shqiptare kanë arritur të gjejnë një tjetër video-përgjim, atë mes ish Ministrit Prifti me zëvendësin e tij Beqirin ku flasin për një aferë korruptive, por mbi këtë video ekspertët nuk janë shprehur pasi nuk është objekt i këtij hetimi. Pas këtij akti ekspertimi, prokurori Sheshi ka ngritur pretendimin se ekspertët shqiptare duhet të përfshijnë në ekspertizë edhe certifikimet e programeve me të cilat kanë punuar ekspertët, por ky pretendim i prokurorit për avokatët mbrojtës është konsideruar si presion i organit të akuzës ndaj ekspertëve. Veleshnja për këtë fakt ka shtuar se trupi gjykues duhet t’a rrëzojë këtë kërkesë, sepse një gjë e tillë nuk u është kërkuar as ekspertëve të huaj.

Në seancën e ardhshme do të priten hapat e mëtejshme të prokurorisë e cila si provë origjinale kishte vetëm orën regjistruese të Priftit, provë kjo e cila sipas ekspertizës është hedhur poshtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›