E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihen gjyqtarët në Pukë Delvinë, portieri në koma

 

Jetmir Halilaj

Është rikthyer me përmasa të frikshme dhuna në futbollin shqiptar dhe viktimat janë gjyqtarët e futbollistët. Në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, mes Butrintit dhe Memaliajt, janë goditur me sende të forta e më pas keqtrajtuar nga futbollistët, arbitrat e ndeshjes. Gjyqtari anësor, Rifat Daja, është goditur me sende të forta në takimin që është luajtur në Delvinë. Në pjesën e dytë është gjuajtur edhe portieri i Memaliajt, Ervin Mergani, si dhe gjyqtari kryesor, Shkëlqim Balliu. Futbollisti dhe dy arbitrat janë dërguar me urgjencë në spitalin e Delvinës ku kanë marrë ndihmën mjekësore, pasi kanë qenë në gjendje kritike për jetën. Ndeshja mes Butrintit dhe Memaliajt është ndërprerë disa herë gjatë pjesës së parë, për shkak se tifozët e skuadrës sarandjote kanë hedhur gurë e sende të forta në fushë. Në fraksionin e parë të ndeshjes është goditur me sende të forta edhe anësori Rifat Daja, por treshja e arbitrave ka vendosur të vazhdojë lojën. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e miqve 1-0. Në minutën e 83-të të takimit është goditur me sende të forta portieri i skuadrës mike, Ervin Mergani. Ky i fundit ka mbetur për 10 minuta i shtrirë në fushë, në gjendje kome dhe më pas është shoqëruar me ambulancë në spital, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Gjatë këtyre minutave, kryesori ka ndërprerë ndeshjen dhe priste udhëzime nga drejtuesit e FSHF-së për të marrë një vendim përfundimtar, por futbollistët e skuadrës së Butrintit i janë vërsulur atij dhe kanë filluar ta qëllojnë. Më pas edhe disa tifozë të skuadrës sarandjote kanë kapërcyer gardhin dhe kanë ushtruar dhunë barbarisht mbi gjyqtarët. Arbitri Shkëlqim Balliu dhe asistenti i tij, Rifat Daja, kanë pësuar dëmtime të rënda fizike dhe janë shoqëruar në spitalin e Delvinës, ku kanë marrë ndihmën e parë.
Në Pukë
Mentor Sopjani, gjyqtari i Kategorisë Superiore, ka rrezikuar seriozisht jetën dje në ndeshjen Tërbuni-Kastrioti. Ai është dhunuar fizikisht nga tifozët e skuadrës pukjane dhe është dërguar me urgjencë në spital. Arbitri lushnjar ka mbërritur në spitalin e Pukës në gjendje të rëndë dhe aty i është dhënë menjëherë ndihma mjekësore. Pas vetëm dy orësh nën kujdesin e mjekëve, këta të fundit deklaruan se ai ishte jashtë rrezikut për jetën. Arbitri me origjinë nga Lushnja, i cili për disa vjet ka punuar si gardian në burgun e Peqinit, ka anuluar një gol me rroveshatë të vendësve, me pretendimin se autori i golit kishte bërë lojë të rrezikshme. Ishin minutat e fundit të takimit dhe vendimi i Sopjanit çoi në nxehjen e gjakrave. Në fushë kanë vërshuar thuajse të gjithë tifozët dhe viktima e parë ka qenë pikërisht arbitri kryesor, ndaj të cilit është ushtruar dhunë masive dhe është goditur rëndë edhe në kokë.

FSHF paralajmëron ndëshkime maksimale

Federata Shqiptare e Futbollit paralajmëron masa të ashpra ndaj incidenteve që kanë ndodhur dje në Delvinë dhe në Pukë. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, institucioni më i lartë i futbollit në vendin tonë ka dënuar dhunën e shfaqur dje. “Dënoj dhunën e përdorur ndaj gjyqtarit Mentor Sopjani dhe ndihmësve të tij. FSHF dënon dhunën masive të përdorur në fushën e Pukës, nga civilë që kanë pushtuar objektin sportiv, pa u ndalur nga forcat e rendit, përgjegjëse për organizimin e aktivitetit. Dënojmë aktet e dhunës, me pasojë goditjen e një futbollisti me gur në kokë, në ndeshjen mes Sarandës dhe Memaliajt. Akte të tilla cenojnë jo vetëm futbollin dhe imazhin e tij, por prishin edhe bukurinë e lojës. FSHF-ja kërkon nga forcat e rendit, nga klubet dhe sportdashësit e tyre, të ruajnë qetësinë e të mbajnë një qëndrim ‘fair play’. Ajo do të jetë e ashpër ndaj gjithkujt që prish bukurinë e lojës dhe e çon atë deri në dhunë. Të gjitha strukturat e saj, përfshi edhe komisionet, nuk do të tolerojnë askënd që prish bukurinë e futbollit dhe imazhin e tij. Federata Shqiptare e Futbollit u bën thirrje klubeve, sportdashësve, futbollistëve dhe të gjithë faktorëve të tjerë, që marrin pjesë në organizimin e garës së kësaj ‘loje magjike’, që të jenë sa më pranë saj për t’i luftuar e për t’i shuar ato”, thuhej në deklaratën për shtyp të federatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›