Xhihani shënon përsëri, tjetër sinjal Ari Hanit
Mesfushori i avancuar, Parid Xhihani, ka shënuar golin e vetëm për Zorian, që u mposht 2-1 nga Metalurg Zaporizhja të shtunën në javën e 18-të, e vlefshme për kampionatin e Ukrainës. Xhihani, i cili luajti gjatë gjithë takimit, shënoi në minutën e 30-të dhe kaloi skuadrën e tij në epërsi 1-0. Për të, ky ishte goli i tetë në këtë edicion. Parid Xhihani është bindshëm shënuesi më i mirë i skuadrës. Zoria pozicionohet e teta me 21 pikë. Ish-kapiteni i Besës është njëherësh legjionari me më shumë gola në këtë sezon në kampionatet evropiane. Kavajasi 26-vjeçar po zhvillon një sezon të shkëlqyer në kampionatin ukrainas dhe jo rastësisht është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij, Zoria. Ish-futbollisti i Besës është gjithashtu një kandidat potencial për t’u grumbulluar me përfaqësuesen shqiptare gjatë dy ndeshjeve të radhës, megjithëse do ta ketë të vështirë që të bindë trajnerin e përfaqësueses, Ari Han. Para ndeshjes me Maltën, i pyetur për Xhihanin, trajneri holandez pohoi para medieve se nuk kishte informacione për këtë futbollist: “Nuk mund të them se i njoh të gjithë futbollistët shqiptarë që luajnë jashtë, ndaj për Xhihanin kam shumë pak informacion”. Pas javës së parë të marsit, trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, do të nisë një turne në Ukrainë për të parë nga afër disa nga lojtarët shqiptarë që aktivizohen në këtë kampionat. Në qendër të vëmendjes së tij, pritet të jetë edhe bomberi Xhihani, i cili deri tani ka ecur shumë mirë. Ari Han nuk ka dhënë detaje, se cilët futbollistë do të shohë gjatë vizitës së tij në Ukrainë, por burime pranë stafit kuqezi, bëjnë të ditur se një motiv shumë i fortë është edhe “shpërthimi” i Xhihanit. Nëse ky i fundit arrin të bëjë nj tjetër paraqitje të mirë, në ndeshjen që do të vëzhgohet nga tekniku i kuqezinjve, ka shumë mundësi që të marrë një ftesë për dy ndeshjet e radhës, kundër Hungarisë dhe Danimarkës. Ari Han është në kërkim të një lojtari që arrin ta dërgojë topin në rrjetë, ndonëse për takimin me Maltën, la jashtë golashënuesin më të mirë të kampionatit shqiptar, Migen Memellin.