Rumani, një avion në ulje emergjence
Një avion në Rumani, me 51 udhëtarë në bord, është ulur dje me trupin e tij në aeroportin ndërkombëtar në Timishoarë. Sipas zëdhënëses së aeroportit, Carmen Stioca, avioni ka fluturuar mbi aeroport për gati dy orë, e pastaj ka vendosur të aterojë, në pistën e cila ishte mbushur me shkumë nga zjarrfikësit. Ajo shtoi se në avion ishin 47 udhëtarë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë shpëtuan pa lëndime. Avioni i kompanisë “Carpatair” po fluturonte nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishniev. Ndërkohë, Shoqata e Pilotëve turq ka dalë në përfundimin se turbulenca e shkaktuar nga aterrimi i një avioni të madh vetëm dy minuta para arritjes së aeroplanit të kompanisë “Turkish Airlines” në aeroportin “Shipol” të Amsterdamit, mund të jetë shkaktar i fatkeqësisë. Sipas kësaj shoqate, një “Boing 757” ka shkaktuar turbulencë të madhe në të cilën ka rënë aeroplani turk, i cili ka filluar të humbasë lartësinë menjëherë.