E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihen mjekët në Fier, peticion kundër dhunës

Autori i Lajmit: red.
Gjashtë mjekë në spitalin e Fierit janë sulmuar nga një grup personash të dehur gjatë oararit të tyre punës. Pas agresionit që u është bërë, dje mjekët dhe infermierët e spitalit rajonal të Fierit kanë nënshkruar së bashku një peticion, ku bëjnë të ditur dhunën që është ushtruar ndaj kolegëve të tyre në repartin e urgjencës, mesnatën e së hënës. Mjekët kanë pohuar se agresorët kanë qenë në gjendje të dehur dhe dyshohet se mund të jenë të afërm të pacientëve, edhe pse shkaku nuk është bërë i qartë. Dje, mbi 40 punonjës, personel i lartë dhe i mesëm në spitalin e Fierit, kanë firmosur një peticion, duke e vënë në dijeni drejtorinë e spitalit të Fierit dhe policinë lidhur me situatën e krijuar me shërbimin e urgjencave të këtij spitali. Burimet raportojnë se mesnatën e së hënës, persona të panjohur kanë hyrë me forcë në urgjencën e spitalit të Fierit duke thyer xhamat e derës kryesore dhe më pas kanë goditur disa nga mjekët dhe infermierët që shërbenin aty. Viktima të kësaj dhune janë bërë infermierët Agron Gjeli, Armando Karajfili, Saimit Hoxha e Lili Prifti, si dhe mjekët Indrit Gallashi dhe Lulëzim Banushi. Lajmi është bërë i ditur nga personeli i spitalit të Fierit, të cilët mëngjesin e djeshëm kanë reaguar ashpër ndaj kësaj ngjarjeje. Ndër të tjera, në peticionin e tyre bluzat e bardha shprehen se i gjithë stafi i shërbimit të urgjencës ndihet i rrezikuar për jetën dhe kërkon nga ana e policisë të merren masa të menjëhershme për të ndryshuar këtë situatë, në të kundërt do të ndërpresin punën. Mjekët, gjithsesi, nuk kanë sqaruar asgjë në peticionin e tyre lidhur me shkakun e kësaj dhune, ashtu sikundër nuk kanë saktësuar identitetin e agresorëve, të cilët nuk kanë qenë të maskuar. Burime nga policia pohojnë se janë duke hetuar rreth kësaj ngjarjeje.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›