E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me homologun slloven: “Lustracioni, heshtja e drejtë ligjore”

Autori i Lajmit: red.
Heshtja për ligjin e dosjeve ishte një e drejtë Kushtetuese, të cilën unë mund ta shfrytëzoja. Kështu ka pohuar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pyetur për këtë çështje gjatë një konference të përbashkët për shtyp që zhvilloi me homologun e tij slloven, Danilo Turk. “Ka qenë një vendim i qartë, i ekspozuar në të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës, dhe ajo që unë konstatoj është që të gjithë institucionet dhe faktorët politikë kanë marrë pozicionin e tyre të qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe duke respektuar Kushtetutën”, - u shpreh Topi. Më tej ai informoi gazetarët se gjatë takimit me homologun slloven është biseduar për situatën politike në vend, për Reformën në Drejtësi dhe për situatën parazgjedhore të vendit. Topi theksoi se ligji për zgjedhjet, dhe pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit do të bëjë që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe demokratike. Në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, Presidenti ka deklaruar se ka ardhur momenti që të gjitha vendet partnere duhet të kenë një konsensus dhe mbështejtje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Ndërkohë, Topi e ka konsideruar si të rëndësishme situatën e qetë të rajonit duke thënë se “asnjëherë rajoni ynë nuk ka qenë më i qetë se sot, kjo në radhë të parë vjen nga dëshira e vendeve të rajonit, por edhe falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë”. Për sa i përket bashkëpunimit me Slloveninë, Kreu i Shtetit deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensive. Ndërkohë që presidenti slloven, Danilo Turk, deklaroi se vizita e tij në Shqipëri është një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe si dhe të rrisë partneritetin. Ai theksoi se Sllovenia ka qenë gjithmonë në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për në NATO dhe BE. Presidenti slloven nënvizoi se vendi i tij mbështet liberalizmin e vizave të Shqipërisë për në BE si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. “Unë kam sjellë 30 përfaqësues të biznesit kyç slloven dhe disa prej tyre kanë krijuar një përvojë të suksesshme në Shqipëri, ndaj ne dëshirojmë që vizita të shënojë fillimin e një faze të re të bashkëpunimit ekonomik dypalësh”, -theksoi presidenti slloven.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›