E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet kontrata për lidhjen e internetit në 2 mijë shkolla

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës vendos bashkëpunimin me kompaninë “Albtelekom” për të shtrirë rrjetin e internetit në 2017 shkolla në të gjithë vendin. Në kuadrin e programit “Cilësi dhe barazi në arsim”, në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës u nënshkrua dje kontrata për instalimin e shërbimit të internetit në të gjitha shkollat bazë dhe të mesme. Kontrata u firmos nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, dhe drejtori i Albtelekom, Mustafa Arkdogan. Kontrata me vlerë mbi 1 milion USD do të pajisë me shërbim interneti, në tre muajt e ardhshëm, 2107 shkolla të mesme dhe bazë në çdo rreth të vendit. Ministri Beja u shpreh se me këtë kontratë përmbyllet një fazë e rëndësishme e projektit madhor të MASH, "TIK-shkolla". “Me instalimin e internetit për një periudhë kohore të shkurtër, do të shfrytëzohen mijëra kompjuterë, që janë shpërndarë nga ministria në ditët e fundit në të gjitha shkollat e Shqipërisë", - tha Beja. Duke e vlerësuar një arritje për shkollarët e Shqipërisë, për familjarët e tyre, "ne duam që fëmijët tanë të jenë në avangardë të vendeve evropiane sot”, tha ministri i MASH-it, Beja. Ai i uroi sukses kompanisë “Albtelekom”, që ka fituar tenderin me një diferencë të madhe nga konkurrenti i dytë. Drejtori i kompanisë, Arkdogan, pasi falënderoi bashkëpunimin me MASH, tha se “do të kontribuojmë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar. Një nga misionet e Albtelekomit është për t i shërbyer sistemit arsimor dhe shkollës shqiptare në përgjithësi”.
Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›