E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrihet Ilir Gjoni: Më gjuajti vëllai i Ilir Kokonës së LSI

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni u rrah mbrëmë nga Arjan Kokona, vëllai i kryetarit të njësisë minibashkiake nr. 3, Ilir Kokona. Vetë Gjoni shpjegon në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” dinamikën e ngjarjes.
Zoti Gjoni, si ndodhi ngjarja?
Unë ndodhesha në zyrën time elektorale te ‘Xhamlliku’. Ndërsa para zyrës, aty ku unë kisha parkuar makinën, vëllai i Ilir Kokonës ishte duke debatuar me një nga punonjësit e zyrës. I vëllai i Ilirit i kërkonte këtij punonjësi që kishte qenë edhe në KZAZ, të firmoste një shkesë. Madje, po e kërcënonte atë.
Po ju, si u gjendët aty?
Unë kalova aty për të marrë makinën se do ikja dhe ai i tha punonjësit: “Kush të dha urdhër të mos e firmosje?”, sepse ishte çështja e një shkrese që donte ai të firmoste për të vëllanë, Ilirin. Mirëpo anëtarët e KZAZ-së së njësisë 3 kishin mbaruar punën dhe atë shkresë e kishin firmosur që atëherë, por çfarë kishin bërë këta, kishin ndërruar tekstin, kishin mbajtur të njëjtin numër protokolli, pra me tekst tjetër dhe donin që ta firmosnin shkresën pas përfundimit të punës. Punonjësi i thoshte ‘nuk e firmos. Nuk mundem ta firmos’. Kur kalova aty, ata po rrinin para makinës sime. Unë i njoh ata se kam pasur muhabet edhe më parë. I vëllai i Kokonës i tha: “Ky qelbësira ju dha urdhër që të mos e firmosni?”
Unë i thashë: “Ore Arjan, me mua po flet ti?” Ai më gjuajti, pastaj filluam me sharje e goditje.
A keni plagë?
Vetëm të më vrisnin se tjetër gjë çfarë mund të më bënin, por nuk është te goditja, por te kuraja më tepër që patën. Më pas aty erdhi policia, erdhi edhe i vëllai i vet, Iliri duke ofenduar në sy të policëve, duke kërcënuar, pra nga këto veprime që i bëjnë vetëm halabakët, nuk i bën njeri tjetër normal, për më tepër në sy të njerëzve e në mes të rrugës.
REAGIMI
Kryetari i njësisë minibashkiake nr. 3, Ilir Kokona tha mbrëmë për “GSH” se ka qenë Ilir Gjoni që ka gjuajtur i pari vëllain e tij. “Ky ishte një provokim nga ana e tij dhe sjellja e Gjonit është në vazhdën e sjelljes së opozitës që nga 21 janari”, tha Kokona për “GSH”.

(GSH/balkanWeb) Lidhje te tjera Ruci: Drejtësia të zbardhë dhunën ndaj deputetit Ilir Gjoni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›