E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video përgjimi, Meta: Procesi në Gjykatën e Lartë është nul

TIRANE- Kryetari i LSI-së Ilir Meta e quajti “nul” procesin gjyqësor kundra tij të nisur dje në Gjykatën e Lartë.

Meta akuzohet për korrupsion aktiv kur ishte në postin e zv kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, pas publikimit në media të një video përgjimi ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.

Sipas Metës, "i gjithë procesi i pavlefshëm sepse nuk ekziston asnjë provë materiale e ligjshme, jo thjesht në kuptimin procedural por dhe thelbësor”. Ai akuzoi prokurorinë se "ka kryer ekspertiza në mënyrë të paligjshme" dhe "ka qenë e njëanshme, ka shkelur ligjin dhe ka pasur qëllim të zvarrisë këtë proces për arsye politike".

“Procesi në gjykatë është nul sepse nuk ka asnjë provë origjinale ndaj personit tim. Provat e tjera që janë kopje të hedhura nga një kompjuter në tjetrin janë të manipulura. Transkriptimi i bërë rrëzon totalisht përmbajtjen e kasetës në mënyrë tekniko shkencore. Prokuroria nuk ka dëshmitar kundra meje, pasi vetë Dritan Prifti është i akuzuar nga prokuroria dhe nuk mund të jetë dëshmitar i besueshëm.”- deklaroi Meta në një prononcim për gazetarët.

Kreu i LSI-së nënvizoi se janë pikërisht “tre ekspertizat e prokurorisë që tregojnë qartë që është shkelur ligji” ndërkohë që “ekspertiza ndërkombëtare vërteton se videopërgjimi është i manipuluar.
SEANCA DJE
Përfaqesues ligjor i Metës, kërkoi dje ne Gjykatën e Lartë që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorise ndaj klientit të tij me pretendimin se janë të kundraligjshme.Sipas tij, prokuroria ka realizuar hetime ndaj Metës që në kohen kur ai ishte me imunitet si deputet në Kuvendin e Shqiperisë. "Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit", tha avokati.
Avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjëshme. Ndërkohë që, të papërdorëshme u konsideruan nga mbrojtesi ligjor edhe deklarimet e ish- ministrit te Ekonomisë, Dritan Prifti, si autori i video-s kundër zotit Meta.Pas prezantimit te kërkesave të mbrojtjes, përfaqësuesi i Prokurorisë se Pergjithshme, Bujar Sheshi, kërkoi kohë që të njihet hollësisht me to, për të shfaqur me pas qëndrimin e prokurorise.  Gjykata vendosi të shtyjë seancen në daten 27 qershor 2011.
(s.g/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›