E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi-Topi: Palët të nisin dialogun, të zgjidhin ngërcin

TIRANE- Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune në zyrën e tij me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë të cilit shkëmbyen mendime lidhur me situatën paszgjedhore të krijuar në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht edhe shqetësimin e përbashkët për tejzgjatjen e përfundimit të këtij procesi.

Sic bën të ditur zyra për shtyp e Presidentit, kreu i shtetit, pasi vlerësoi deklaratat e fundit të Baroneshës Eshton, Komisionerit për Zgjerim, Fyle dhe konkluzionet e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ndau me Ambasadorin Sequi të njëjtin qëndrim të palëkundur se: “në këtë situatë, është e domosdoshme nisja e menjëhershme e dialogut politik mes palëve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional”, duke theksuar gjithashtu se kjo do të ishte dëshmia më e mirë e maturisë që klasa politike mund t’i japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Në këtë pikë, Ambasadori Sequi vuri në dukje faktin se “Evropa e Bashkuar është e ndërtuar mbi bazën e institucioneve, prandaj për të është shumë e rëndësishme që të respektohen institucionet e pavarura kushtetuese”.

Kryetari i Shtetit shqiptar u shpreh gjithashtu se vetëm zgjidhjet institucionale të ardhura përmes dialogut politik dhe marrëveshjes në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura në vend do t’u shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre për një të ardhme sa më të afërme në familjen evropiane.
Presidenti Topi theksoi në këtë takim pune se Bashkimi Evropian vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarët dhe sjelljen e tyre. Presidenti ritheksoi gjithashtu se “klasa politike duhet të arrijë në të njëjtat standarde. Ka ardhur koha të kalohet nga fjalët dhe premtimet pafund të politikanëve në vepra konkrete në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.”

(d.b/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›