Rriten akcizat për kafen, alkoolin dhe cigaret
Kuvendi miratoi me 73 vota pro ndryshimet e sjella nga ana e qeverisë “Berisha 1” të “Paketës fiskale”. Në seancën e mbrëmshme nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës, të cilët kanë bojkotuar Kuvendin, që me nisjen e punimeve zyrtare të këtij institucioni. Ministri i Financave i ka cilësuar këto ndryshime si mjaft të rëndësishme, pasi vijnë si rezultat edhe i përafrimit të taksave me vendet e rajonit të Ballkanit. “Ndryshimi i ligjit për procedurat tatimore është një detyrim shume i madh për administratën tatimore. Ne fusim për herë të parë parimin e heshtjes. Kjo do të ndikojë në zbatimin e ligjit të Administratës Tatimore, që nuk rimbursohej në kohën e duhur dhe nuk kryente verifikimet. Duhet rimbursim nëse administrata tatimore nuk jep vlerësime. Ky është ndryshimi që ne kemi propozuar”, deklaroi Bode. Ministri theksoi se këtë ia kishim premtuar si PD që në fillim të fushatës elektorale dhe se kjo u realizua. Nëse biznesi nuk i rimburoshet TVSH-ja, atëherë ai në të ardhmen shmanget nga tatimet tatimore, ky është thelbi i projektligjit të vendosur.
“TVSH-ja duhet të rimbursohet brenda 30 ditëve, në të kundërt biznesit i lind e drejta e mospagimit të taksave deri në vleftën e plotë të TVSH-së së parimbursueshme. Parimi ‘heshtja është miratim’ po shtrihet edhe në administratën tatimore. Përsa i takon ligjit “Për akcizat” ai reflekton qëndrimin e qeverisë për barazimin e nivelit të akcizave me vendet e rajonit. Rritjet e vogla, por në mënyrë graduale, me përmirësimin e administrimit do të shkojnë drejt barazimit”, tha ministri. Me miratimin e kësaj pakete tani më i shtrenjtë do të jetë konsumi ditor i një qytetari që tymos duhan dhe pi kafe. Qeveria vendosi të rrisë me rreth 25 për qind nivelin e akcizës për duhanin. Kështu në rast se deri dje, për një paketë duhan, importuesit paguanin 40 lekë akcizë, pas miratimit të ligjit do të paguajnë 50 lekë. Pra, do të shtrenjtohen çmimet e cigareve në treg. Por, konsumatorët e duhanit do të paguajnë më shumë edhe për kafenë. Akciza nga 100 lekë, që është aktualisht do të bëhet 140 lekë për kilogram, duke bërë që edhe çmimi i kafesë në treg apo bare të rritet ndjeshëm.
Ndryshimi i akcizave
Ishte - Bëhet
Kafe jo e pjekur e dekafeinuar ose jo
50 lekë/kg-70 lekë/kg
Kafe e pjekur e dekafeinuar ose jo
100 lekë/kg-140 lekë/kg
Pije alkoolike me forcë alkoolike ndaj volumit mbi 12 për qind
150 lekë/litri-220 lekë/litri
Nga prodhues vendas e të huaj në sasi më të vogël se 20.000 hektolitër në vit
150 lekë/litri-220 lekë/litri
Nga prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 20.000 hektolitër në vit
200 lekë/litër-300 lekë/litër
Pije alkoolike me forcë alkoolike ndaj volumit deri në 12 për qind
70 lekë/litri-100 lekë/litri
Puro dhe cigariollos që përmbajnë duhan
2,240 lekë/kg-2,500 lekë/kg
Cigare që përmbajnë duhan
40 lekë/paketa-50 lekë/paketa