Ligji i ri, kush s’paguan taksat nuk merr hipotekë
BLEDAR HOTI
Kush nuk paguan taksat vendore, nuk do të marrë më tapinë e shtëpisë. Kuvendi miratoi dje një amendament në ligjin për Taksat Vendore, i cili ndalon transaksionet hipotekore të gjithë qytetarëve që janë debitorë ndaj bashkisë. Bëhet fjalë për taksat mbi sipërfaqen e banesës që paguhen në zyrat e pushtetit vendor çdo vit. Deri më sot, kush nuk paguante këto taksa nuk merrte dot një certifikatë. Zyrat e gjendjes civile nuk lëshonin dokumentin në rast se nuk paraqitej dokumenti i cili vërtetonte pagesën. Dje kuvendi, me iniciativën e një grupi deputetësh të maxhorancës, vendosi ta shtrijë penalizmin edhe në zyrat e regjistrimit të pasurisë. Në këtë mënyrë, pas hyrjes në fuqi të ligjit, që dje mori 73 vota, asnjë debitor ndaj bashkisë apo komunës nuk mund të shesë ose të blejë pasuri të paluajtshme. Propozimi, sipas kryetarit të komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, është bërë nga një grup i deputetëve të maxhorancës, në të cilën sanksionojnë kushtin në dhënien apo heqjen e titujve të pronësisë nga ana e hipotekave. Në nenin 24 të këtij ligji për vërtetimin e pronësisë për efekte të detyrimit të pagimit të taksave bëhet ky ndryshim: “ZRPP-të nuk bëjnë regjistrimin apo çregjistrimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë apo tokë bujqësore, nëse dokumentacioni i vërtetimit të pronësisë nuk shoqërohet edhe me vërtetimin e bashkisë apo komunës, i cili konfirmon pagesën e taksave respektive që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi përpara votimit të amendamentit se: “E gjej me shumë vend një propozim të bërë për të ndihmuar pushtetin lokal në mbledhjen e taksave vendore. Ne për të ndihmuar në këtë proces të mbledhjes së taksave pushtetin vendor, propozimi i disa deputetëve është që taksa mbi pasurinë të konsiderohet si barrë hipotekare, çka do të thotë se asnjë transaksion i pasurisë nuk mund të bëhet nga ZRPP-të pa marrë më përpara vërtetimin e pagimit të taksave mbi pasurinë që është e pushtetit lokal”, theksoi Bode.
Ulja e taksës së infrastrukturës
Lajmi i mirë për banorët e zonave informale mund të cilësohet ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë në 0.5 për qind të vlerës së investimit. Më parë ka qenë 1-3 për qind të vlerës së investimit për rrethet, ndërsa në Tiranë, aty ku është edhe përqendrimi më i madh i ndërtimeve të zonave informale. “I mbështes propozimet për taksat vendore është një propozim i bërë nga ana jonë, i cili reflekton nevojën e lehtësimit të procesit të legalizimit. Proces i cili ka rritur koston për shkak të tarifave të larta që vijnë nga legalizimi dhe që ka të bëjë me vendosjen e taksës së infrastrukturës të vendosura nga njësitë e qeverisjes vendore. Duke qenë se kjo varion nga 1-3%, duke qenë se procesi i legalizimit shtrihet në një territor të madh të vendit dhe operojnë në të një numër i madh bashkish dhe komunash për të pasur një trajtim të njëllojtë dhe për të mundësuar përfundimin me sukses të procesit të legalizimit të jetë kjo taksë sa 0.5% e vlerës së investimit”, tha Bode.