E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, banorët në panik nga ndërtimet shekullore

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Frika e shembjes së banesave ka bërë që banorët e dy shtëpive të vjetra mbi 100-vjeçare në qytetin e Shkodrës t’i bëjnë apel drejtuesve vendorë, për marrjen e masave në kohë me qëllim që të shmangin ndonjë tragjedi të mundshme. Janë rreth 40 banorë të këtyre banesave, të cilët jetojnë me frikën e përditshme se mos po u shemben shtëpitë. E kjo situatë e frikshme ka përkuar me 15 prillin e vitit 1979, datë që shënon 30-vjetorin e tërmetit të fuqishëm që ra në Shkodër. Për banorët shtëpitë e vjetra qindravjeçare të qytetit të Shkodrës, rrezikojnë shembjen nëse do përsëritet një tërmet, qoftë me gjysmën e forcës së atij të rënë në vitin 1979. Në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë Kishës së Madhe, në dy ndërtesa të amortizuara së tepërmi, jetojnë disa familje e bashkë me ta jeton edhe frika e shembjes së tyre. Këto banesa janë të tipit të vjetër të ndërtimeve në Shkodër, dykatëshe, në të cilat mbizotëron druri. Të gjitha këto e bëjnë edhe më të rrezikshëm qëndrimin në të. Pjesët kryesore të shtëpisë janë të dëmtuara: trarët janë kalbur, muret janë çarë, tavani në një pjesë të madhe është i rrëzuar. Gjovalin Shkabana, një nga banorët e kësaj shtëpie, është shprehur për mediat se megjithëse punon vetë në ndërtim e ka të pamundur që të ndërtojë një shtëpi të re. “Kjo është arsyeja që jam i detyruar të jetoj në këtë godinë, e cila është gati duke u shembur. Muret dhe kulmi janë tejet të amortizuar dhe frika është e vazhdueshme”. Shkabana shton se kanë shkuar në Bashki për t’u ankuar dhe për t’u regjistruar si i pastrehë, por lista e të pastrehëve është tejet e gjatë prandaj edhe shpresat që të marrin shtëpi janë të pakta. “Nëse shtëpia shembet do të mbesim në mes të rrugës”, pohon Gjovalin Shkabana. Pothuajse të gjithë fëmijët e banorëve që jetojnë këtu janë me probleme shëndetësore si nga lagështira, ashtu edhe nga të ftohtit, nga stresi i shembjes së shtëpisë apo dhe i kushteve të vështira higjienosanitare. Ndaj dhe banorët e këtyre shtëpive i bëjnë apel Bashkisë së Shkodrës e në mënyrë të veçantë Këshillit Bashkiak, që të vënë dorën në zemër dhe t’i shikojnë me përparësi kushtet e tyre me qëllim që të trajtohen me banesa, të cilat presin të ndahen së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›